Aktualitet

"Donte ta blinte Ledjani"/ Nëna e Sadikajt zgjeron pistat për vrasjen e të birit, zbardh sherrin për tokën: Xhino më erdhi në shtëpi një ditë pas vrasjes së Papës

Sipas dëshmisë së nënës, Xhino i ka pohuar se Edmond Papa dhe njerëzit që i rrinë afër janë të rrezikshëm, pasi ndër të tjera, mbajnë edhe lëndë shpërthyese.

8 Mars 2023, 21:23 Nga F.M
"Donte ta blinte Ledjani"/ Nëna e Sadikajt zgjeron pistat
Edmond Papa dhe Aleksandër Sadikaj

TIRANË- Nëna e Aleksandër Sadikajt ka zbuluar një tjetër pistë që mund të orientojë hetuesit për zbardhjen e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj. Në dosjen e publikuar nga emisioni “Në shënjestër”, nëna e Sadikajt përmend dy emra të rinj, të identifikuar si Ledjani dhe Xhino. Ajo thotë se të dy këta persona ishin interesuar për një tokë që Aleksandër Sadikaj e kishte blerë më vonë. Sç duket, fakti që e kishte blerë Sadikaj, dyshen e kishte lënë të pakënaqur, bashkë me vëllezërit Edmond Papa (i vrarë më vonë) e Kristo Qirici. Ndërkohë sipas dëshmisë së nënës, Xhino i ka pohuar se Edmond Papa dhe njerëzit që i rrinë afër janë të rrezikshëm, pasi ndër të tjera, mbajnë edhe lëndë shpërthyese.

“Më datë 17 Dhjetor 2022 në shtëpinë time në Memaliaj ka ardhur Xhino, i cili më ka thënë që ishte kthyer nga varrimi i Edmond Papës dhe më ka kërkuar që ta shoqëroja për në varreza, tek varri i Aleksandrit. Xhino më ka treguar nga telefoni një video që Aleksandri kishte regjistruar vetëm pak minuta para se të vritej, që tregonte një sipërfaqe toke që kemi në pronësi në afërsi të Qendrës Tregtare ‘TEG’ dhe për këtë pronë kishte shfaqur interes për ta blerë Ledjani. Xhino më ka pohuar që vëllezërit Papa dhe Ledjani, mbajnë armë zjarri dhe lëndë eksplozive në ambjentet e Hotel ‘Blu Sky’, në Sarandë. Dyshoj se vrasja e djalit është organizuar nga vëllezërit Edmond Papa dhe Kristo Qiriqi, alias Jetmir Hoxha, në bashkëpumim me Ledjanin,”- theksoi ajo.

Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç u vra në një atentat me tritol me telekomandë. I riu me precedentë penalë ka qenë duke udhëtuar me makinë në momentin që atentatorët kanë shpërthyer tritolin me telekomandë. Sadikaj u nxorr pa gjymtyrë nga mjeti dhe kalimtarë të rastit e dërguan në spital ku dhe ndërroi jetë. 27-vjeçari ishte skeduar për një sërë veprash penale si vjedhje, vrasje, plagosje dhe mosbindje e kundërshtim të forcave të policisë. Por, vetë Fatmir Sadikaj, babai i 27-vjeçarit ka treguar se djali i tij ka pasur konflikte të vazhdueshme me Edmond Papën dhe dy persona të tjerë. Në dëshminë e dhënë nga Fatmir Sadikaj, emri i Papës është përmendur si Edmond Hoxha, me mbiemrin e dytë që njihet 49-vjeçari, por kjo ishte një indicie që Policia ta mbante në vëzhgim dhe të mund të shmangte vrasjen e 16 dhjetorit.

Shkak për konfliktin, sipas babait të Sadikajt është bërë një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë. Për rrjedhojë, i riu ishte konfliktuar me 49-vjeçarin. Ndërsa Papa dyshohet të jetë vrarë në shenjë hakmarrjeje për Sadikajn. Albano Velo dhe Andrew Bode, të afërt me Sadikajn, kishin ndjekur prej ditësh Edmond Papën me makina nëpër Tiranë dhe Sarandë, deri në 16 Dhjetor, kur është kryer vrasja. Velo është vënë në pranga bashkë, por ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen, ndërsa Bode vijon të jetë në kërkim si personi që ka qëlluar ndaj biznesmenit me 9 plumba.

aleksander sadikaj edmond papa

Sondazh

Poll