Aktualitet

Tjetër dëshmi për vrasjen e Sadikajt, misteriozi shkon në polici: Ledjani i montoi 'vendin e fshehtë' në makinë (Ndërron version)

Disa ditë më vonë, i njëjti person është paraqitur në polici për të ndryshuar dëshminë, duke u shprehur se nuk ka qenë Aleksandër Sadikaj ai që ia ka rrëfyer atë bisedë me Ledjanin, por ka qenë një kushëri i 27-vjeçarit që i ka kërkuar të shkojë në polici dhe të dëshmojë një gjë të tillë.

8 Mars 2023, 21:57 Nga F.M
Tjetër dëshmi për vrasjen e Sadikajt, misteriozi shkon në
Aleksandër Sadikaj

TIRANË- Një person me inicialet E.G., që kishte njohje të afërta me Aleksandër Sadikajn është është paraqitur në polici, më datë 23 Nëntor 2022, gati një muaj para se Edmond Papa të ekzekutohej, ku ka deklaruar gjithçka që familja e Sadikajt, ka dashur që ai të thotë në polici, lidhur me përfshirjen e një personi që është identifikuar si Ledjani.

Në dëshminë e zbardhur nga “Në shënjestër”, i riu me inciale E. G., thotë se Ledjani i kishte sugjeruar Sadikajt që ta çonte makinën e tij ‘Golf’ në fshatin Kurjan, për t’i bërë atë vendin e fshehtë. Ky ‘vendi i fshehtë’ nuk del qartë se për çfarë bëhet fjalë, por që mund të jetë edhe vendi i modifikuar ku mund të fshihej një sasi droge. Por, disa ditë më vonë, i njëjti person është paraqitur në polici për të ndryshuar dëshminë, duke u shprehur se nuk ka qenë Aleksandër Sadikaj ai që ia ka rrëfyer atë bisedë me Ledjanin, por ka qenë një kushëri i 27-vjeçarit që i ka kërkuar të shkojë në polici dhe të dëshmojë një gjë të tillë.

Pjesë nga dosja hetimore

E. G, e identifikon personin me emrin ‘Ledi’ si shtetasin Ledjan ose Eldjan. Më datë 23 Nëntor 2022, E. G është paraqitur sërish në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe në vijim të deklarimeve të dhëna më parë ka shpjeguar se: Më datë 22 Nëntor 2022 jam telefonuar një kushëriri i viktimës Aleksandër Sadikaj, i cili ka kërkuar të më takojë. Një ditë më pas më 23 Nëntor 2022, jemi takuar dhe në tavolinë së bashku me ne ka qenë dhe një shtetas tjetër, qeros, të cilin e kam takuar dhe më parë, por nuk ia kam fiksuar emrin. Gjatë bisedës kushëriri i Sadikajt më tha përse nuk ia shpjegove policisë çështjen e Ledjanit. Unë i thashë që në polici kam treguar gjithçka di në lidhje me Aleksandrin, përfshirë këtu edhe për Ledjanin. Në këtë moment kushëriri i viktimës komunikoi në telefon me dikë, dhe më tha mua të shkoja në polici të deklaroj që: ‘Aleksandri më ka thënë mua që ka qenë Ledjani ai që i ka thënë që ta çonte makinën e tij tip ‘Golf’ në Roskovec për t’i bërë vendin e fshehtë. Pasi sipas kushëririt të Sanços, dyshimet mbi vrasjen e Aleksandrit, i kemi tek ky person. Aleksandri nuk më ka pohuar një gjë të tillë, por kushëriri i viktimës më ka kërkuar të deklaroj një gjë të tillë. Unë i thashë atij se Aleksandri nuk ma ka thënë këtë gjë dhe nuk mund të gënjej për diçka që nuk e kam dëgjuar vetë, por ai më tha thuaje dhe këtë se kështu e ndihmojmë dhe policinë.

Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç u vra në një atentat me tritol me telekomandë. I riu me precedentë penalë ka qenë duke udhëtuar me makinë në momentin që atentatorët kanë shpërthyer tritolin me telekomandë. Sadikaj u nxorr pa gjymtyrë nga mjeti dhe kalimtarë të rastit e dërguan në spital ku dhe ndërroi jetë. 27-vjeçari ishte skeduar për një sërë veprash penale si vjedhje, vrasje, plagosje dhe mosbindje e kundërshtim të forcave të policisë. Por, vetë Fatmir Sadikaj, babai i 27-vjeçarit ka treguar se djali i tij ka pasur konflikte të vazhdueshme me Edmond Papën dhe dy persona të tjerë. Në dëshminë e dhënë nga Fatmir Sadikaj, emri i Papës është përmendur si Edmond Hoxha, me mbiemrin e dytë që njihet 49-vjeçari, por kjo ishte një indicie që Policia ta mbante në vëzhgim dhe të mund të shmangte vrasjen e 16 dhjetorit.

Shkak për konfliktin, sipas babait të Sadikajt është bërë një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë. Për rrjedhojë, i riu ishte konfliktuar me 49-vjeçarin. Ndërsa Papa dyshohet të jetë vrarë në shenjë hakmarrjeje për Sadikajn. Albano Velo dhe Andreë Bode, të afërt me Sadikajn, kishin ndjekur prej ditësh Edmond Papën me makina nëpër Tiranë dhe Sarandë, deri në 16 Dhjetor, kur është kryer vrasja. Velo është vënë në pranga bashkë, por ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen, ndërsa Bode vijon të jetë në kërkim si personi që ka qëlluar ndaj biznesmenit me 9 plumba.

edmond papa aleksander sadikaj

Sondazh

Poll