Bota

Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, Prokuroria nis hetimin ndaj Millorad Dodik

Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendos nëse do të ngejë aktakuzë.

6 Mars 2023, 18:26 Nga k.m.
Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, Prokuroria nis hetimin ndaj Millorad
Millorad Dodik

SARAJEVË- Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ka hapur një hetim kundër presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, pasi ai mohoi gjenocidin. Lajmi është konfirmuar nga ky institucion për Radion Evropa e Lirë. Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendos nëse do të ngrejë aktakuzë.

E fill pas kësaj procedure, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës konfirmon ose hedh poshtë aktakuzën.

“Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Sërpska e dimë këtë,”- tha Dodik lidhur me Srebenicën, gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.

Por kjo nuk është hera e parë që Dodik e mohon gjenocidin që kur ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Valentin Inzko, miratoi Ligjin për ndalimin e mohimit të gjenocidit në fund të korrikut 2021. Gjatë gjenocidit në Srebrenicë në korrik 1995, forcat e Ushtrisë së Republika Srpska (VRS) vranë rreth 8.000 burra dhe djem, e po ashtu më shumë se 25.000 gra.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid. Ende sot, mbi 1.200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura. Për masakrën, ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiç.

millorad dodik

Sondazh

Poll