Bota

Sot takimi Kurti-Vuçiç, mediat serbe: Vuçiç bisedoi dje me Chollet, premtoi përkushtim për dialogun

Mediat serbe shkruajnë se është njoftuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së se kreu i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell me mbështetjen e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

27 Shkurt 2023, 09:19 Nga I.A
Sot takimi Kurti-Vuçiç, mediat serbe: Vuçiç bisedoi
Albin Kurti dhe Aleksander Vucic

BRUKSEL- Sot në Bruksel do të mbahet raundi i ri i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ku, siç pritej, temë do të jetë propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve. Mediat serbe shkruajnë se është njoftuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së se kreu i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell me mbështetjen e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Para takimit në Bruksel, Vuçiç dje pati një bisedë telefonike me këshilltarin special në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, i cili theksoi se SHBA-të e mbështesin plotësisht propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se pret që takimi në Bruksel të jetë konstruktiv, me progres të dukshëm drejt marrëveshjes.

Chollet tha se marrëveshjet e nënshkruara më parë në procesin e dialogut duhet të zbatohen, e cila përfshin themelimin e Bashkimit të Komunave Serbe në Kosovë. Presidenti Vuçiç tha se pret një takim shumë të vështirë, por se Serbia është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se në këtë kontekst është e gatshme të punojë në konceptin dhe zbatimin e planit të propozuar me kufizime të përcaktuara qartë.

Para raundit të ri të dialogut, Vuçiç ka marrë një letër të përbashkët nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri italian Giorgia Meloni në lidhje me takimin në Bruksel. Letrën nga treshja evropiane e ka pranuar edhe Kurti, nga zyra e të cilit është bërë e ditur se në letrën kërkohet zbatimi i obligimeve të marra nga palët në dialog, përfshirë edhe krijimin e ZSO-së.

Në letër theksohej se Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme në konkluzionet e tij të 9 shkurtit dhe në të njëjtën kohë i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte detyrimet e marra në dialog, duke përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Edhe SHBA-të kanë dhënë mbështetje të plotë për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

aleksander vucic albin kurti dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll