Bota

Blinken uron pavarësinë e Kosovës: Jemi krenarë me progresin tuaj, njohja reciproke me Serbinë mbetet thelbësore

 Blinken në një letër për 15-vjetorin e Pavarësisë flet për sigurinë në Kosovë e rajon, derisa përmend çështjen e dialogut, planit evropian dhe të njohjes reciproket.

17 Shkurt 2023, 11:29 Nga I.A
Blinken uron pavarësinë e Kosovës: Jemi krenarë me progresin
Antony Blinken

SHBA- Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka uruar qytetarët në 15-vjetorin e pavarësisë, ndërsa thekson se partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes dy popujve. Blinken në një letër për 15-vjetorin e Pavarësisë flet për sigurinë në Kosovë e rajon, derisa përmend çështjen e dialogut, planit evropian dhe të njohjes reciproket.

Letra e Plotë:

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës uroj popullin e Kosovës në 15-vjetorin e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit. Këtë vit, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova riafirmuan partneritetin e fortë dhe përkushtimin e përbashkët ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës ndërsa përballemi me sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane. Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse. Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët.

Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj. Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes popullit tonë. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, në qendër të njohjes eventuale reciproke, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik. Përsëri urime të gjithë popullit të Kosovës – mikut, partnerit dhe aleatit tonë – në këtë ditë të rëndësishme. Ju uroj një vit të qetë dhe të begatë në vazhdim.

Kosova feston sot 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ngjarje e shënuar më 17 shkurt të vitit 2008. Në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova fitoi Pavarësinë e kërkuar prej vitesh. Në seancën e asaj dite, 109 nga 120 deputetë morën pjesë në sallë. Deklaratën e pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i cili sot ndodhet pas hekurave në Hagë. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë. 

antony blinken 15 vjetori i pavaresise se kosoves

Sondazh

Poll