Bota

Haradinaj uron nga Prekazi: Nderimi është i përhershëm për Jasharët dhe të rënët për liri

Nga atje, Haradinaj fillimisht ua uroi festën atyre që janë në krye të detyrës edhe sot, ndërsa tha se përulet para të gjithë atyre që dhanë kontributin e tyre për këtë ditë.

17 Shkurt 2023, 11:04 Nga I.A
Haradinaj uron nga Prekazi: Nderimi është i përhershëm
Ramush Haradinaj

KOSOVË- Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka shkuar në Prekaz për të bërë homazhe në Ditën e Pavarësisë. Nga atje, Haradinaj fillimisht ua uroi festën atyre që janë në krye të detyrës edhe sot, ndërsa tha se përulet para të gjithë atyre që dhanë kontributin e tyre për këtë ditë.

“Përjetësisht nderim për të gjithë ata që kanë bërë mënyrën e vet dhe çfarëdo që ata kanë bërë për ta arritur këtë ditë. Përulemi me respekt për të rënët për liri, ndërsa është nder i madh që të vijmë të nderojmë këtu në Prekaz, aty ku buron liria. Nderimi është i përhershëm për Jasharajt dhe Kryekomandantin Adem Jashari, të cilët ndryshuan rrjedhën e historisë sonë të re. Kosovë, urime 15-vjetori i Pavarësisë!”, tha Haradinaj.

Kosova feston sot 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ngjarje e shënuar më 17 shkurt të vitit 2008. Në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova fitoi Pavarësinë e kërkuar prej vitesh. Në seancën e asaj dite, 109 nga 120 deputetë morën pjesë në sallë. Deklaratën e pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i cili sot ndodhet pas hekurave në Hagë. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë. 

ramush haradinaj

Sondazh

Poll