Politike

A ka falimentuar financiarisht programi “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë – 2022”?!

Dosja.al ka marrë disa ankesa nga subjektet dhe individët që do të duheshin të pagueshin për punën e bërë, ndaj dhe para 3 javësh iu drejtua Kongesit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë së Tiranës me një kërkesë zyrtare për informim, bazuar në të drejtën nga Ligji për Informimin.

13 Shkurt 2023, 13:03 Nga Dosja.al
A ka falimentuar financiarisht programi “Tirana Kryeqyteti Evropian i
Posteri i 'Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë - 2022'

Qindra OJF, grupe informale dhe individë që u përfshinë me projekte në këtë program nuk arritën të rimbursohen nga Kongresi Rinor Kombëtar. Kontratat e shërbimit u shpallën të pavlefshme.

Ju kujtohet që vitin e kaluar kryeqyteti shqiptar ishte kryeqyteti evropian i rinisë. Ishte një sfidë e e Kongresit Rinor Kombëtar që në bashkëpunim dhe mbështetje nga Bashkia e Tiranës realizoi rreth 1 mijë aktivitete. Qindra OJF, grupe informale dhe individë nënshkruan kontrata shërbimi me Kongresin, të cilat duhet të likuidoheshin brenda dhjetorit 2022. Dhjetori iku e tani jemi në mes të shkurtit dhe pagesat për rimbursim sipas kontratave nuk janë bërë.

Përfaqësues të Kongresit Rinor Kombëtar kanë zhvilluar një takim në fund të dhjetorit 2022 ku kanë shprehur pamundësinë për pagesat, duke lënë pezull subjektet e kontraktuara. Një pjesë e tyre po e përcjellin me shumë shqetësim këtë situatë sepse për pagesat e kryera kanë marrë dhe borxh për të mbyllur hesapet me protagonistët, me bizneset që u kanë shërbyer etj. Por nëse të gjitha OJF-të, grupet informale dhe individët ato u treguan shumë korrekte, Kongresi Rinor Kombëtar që mbështetet nga Bashkia e Tiranës ka shkelur të gjitha kushtet e kontratës, duke krijuar pasiguri për likuidimin total.

Asnjë përgjigje zyrtare nga KRK dhe Bashkia e Tiranës

Dosja.al ka marrë disa ankesa nga subjektet dhe individët që do të duheshin të pagueshin për punën e bërë, ndaj dhe para 3 javësh iu drejtua Kongesit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë së Tiranës me një kërkesë zyrtare për informim, bazuar në të drejtën nga Ligji për Informimin.

Katër çështjet për të cilat u kërkua informacion ishin:
1) Jemi të interesuar të dimë se sa subjekte (ojf dhe institucione apo sa individë) u përfshinë me projekte në programin “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”? (Të dhëna thjesht sasiore).
2) Bazuar në kontratat e projekteve fituese që u zbatuan gjatë vitit 2022, në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, sa është fondi financiar total? (Të dhëna thjesht sasiore).
3) Sa përqind e fondit total është mbuluar nga buxheti i Bashkisë së Tiranës? (Të dhëna thjesht sasiore).
4) Deri në ditën kur do të sillni përgjigje, sa përqind të fondit total, keni likuiduar për të gjitha projektet e zbatuara në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”. (Të dhëna thjesht sasiore).
Por afatet përgjigjen kanë kaluar dhe Kongresi Rinor Kombëtar dhe Bashkia e Tiranës po heshtin.
Me të drejtë shtrojmë pyetjen: A ka falimentuar financiarisht programi “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë – 2022”?! Kongresi Rinor Kombëtar dhe Bashkia e Tiranës kanë detyrimin ligjor të zbatojnë kontratat që kanë me zbatuesit e projekteve. Dosja.al ka mësuar se disa subjekte kanë nisur të mendojnë rrugën e padisë në gjykatë kundër Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë së Tiranës, për shkelje kontrate shërbimi.

A kanë lidhje me zgjedhjet vendore fondet që nuk po rimbursohen?

Përfaqësues të Kongresit Rinor Kombëtar u kanë thënë zbatuesve të projekteve që nuk kanë marrë fondet e premtuara se problemi mund të marrë zgjidhje brenda 6 mujorit të parë të këtij viti. Ky është një premtim gojor, i pashkruar gjëkundi, por që ngre dyshime për mundësinë e devijimit të buxhetit bashkiak. Meqë votimet për pushtetin vendor janë më 14 maj 2023 atëherë dyshimet janë se ato mund të jenë kanalizuar në funksion të fushatës. Kjo ka rritur dhe frikën te debitorët se në rast humbje të zgjedhjeve nga menaxhmenti aktual i Bashkisë së Tiranës, atëherë ka risk që rimbursimi të shtyhet pa limit.
Bashkia e Tiranës është zyrtarisht donator kryesor për Kongresin Rinor Kombëtar në programin “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë – 2022” dhe çdo pasiguri i buxhetit të saj është pasiguri për akordimin e fondeve për një punë tashmë të kryer.

Dosja.al do të vijojë ta ndjekë nga afër këtë problem, ashtu sikundër e ka hulumtuar që në fillimet e këtij procesi vitin e kaluar. Ju kutohet artikulli: PRAPASKENAT/ Si po e rrezikon Veliaj “Tirana Youth Capital”, kush e mban peng procesin (link- https://dosja.al/a-ka-qene-ne-keto-4-muaj-tirana-kryeqyteti-evropian-i-rinise ) ku me fakte janë publikuar vonesat dhe zvarritjet në zbatimin e programit “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë – 2022”.

tirana dosja.al

Sondazh

Poll