Bota

Qeveria e re/ Kovaçevksi dorëzon emrat në Kuvend, kush janë 4 ministrat e rinj të qeverisë

Riformatimi ndodh pas marrëveshjes për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, parti e cila fiton tre vende ministrash, dy nga Alternativa dhe një nga LSDM-ja.

11 Shkurt 2023, 17:08 Nga k.m.
Qeveria e re/ Kovaçevksi dorëzon emrat në Kuvend, kush
Foto ilustruese

SHKUP- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Kuvend ka dorëzuar propozimin për riformatimin e Qeverisë, sipas së cilit do të ketë ndryshime kadrovike në katër Ministri. Riformatimi ndodh pas marrëveshjes për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, parti e cila fiton tre vende ministrash, dy nga Alternativa dhe një nga LSDM-ja. Për Ministër të Drejtësisë, në vend të Nikola Tupançevskit nga LSDM-ja, është propozuar Krenar Lloga; Ministër i Shëndetësisë është propozuar Fatmir Mexhiti i ASH-së në vend të Bekim Salit nga Alternativa.

Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë është propozuar Azir Aliu nga ASH-ja, në vend të Admirim Alitit nga Alternativa, ndërsa në vend të Naser Nuredinit nga BDI-ja si Ministre e Ambientit Jetësor është propozuar Kaja Shukova e LSDM-së. Ndryshimet në qeveri janë bërë pasi Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues, në të kundërtën Sofja sërish mund të bllokojë vazhdimin e bisedimeve mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Ky obligim për autoritetet maqedonase parashihet me marrëveshjen mes dy vendeve që bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Ndryshimet miratohen në Kuvend me dy të tretat, apo me 80 nga 120 votat e deputetëve. Por, shumica parlamentare aktualisht ka 75 vota, sikur pjesë e Qeverisë të bëhej edhe Aleanca për Shqiptarët. Domethënë mungojnë edhe pesë vota, të cilat kërkohen nga radhët e opozitës maqedonase. Por, kryetari i VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, ka bërë me dije publikisht se askush nuk ka marrë mandat në zgjedhje për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas tij, në zgjedhjet e fundit asnjë parti politike nuk e ka paraqitur si pjesë të programit të saj ndryshimin e Kushtetutës. Për këtë arsye Mickoski konsideron se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë dhe në cilin drejtim duhet të lëvizë Maqedonia e Veriut në periudhën e ardhshme.

dimitar kovaçevski ndryshimi i kushtetutes ne rmv

Sondazh

Poll