Politike

Dosja 'McGonigal'/ Berisha: Aktin që ka bërë Edi Rama, mund ta ndërmerrte vetëm një fuqi armiqësore ndaj SHBA, ky njeh vetëm gjuhën e forcës

Sipas kreut të PD-së, Rama nuk njeh asnjë kufi, njeh vetëm gjuhën e forcës dhe vetëm në atë mënyrë do të rrëzohet si kryeministër. 

8 Shkurt 2023, 19:38 Nga F.M
Dosja 'McGonigal'/ Berisha: Aktin që ka bërë Edi Rama,
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si armik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një takim me njësinë 8 dhe 10 të Tiranës në selinë blu, Berisha tha se këtë teori e përforcon me faktin që kreu i qeverisë ka korruptuar Charles McGnigal, ish-kreun e FBI-së. Sipas kreut të PD-së, Rama nuk njeh asnjë kufi, njeh vetëm gjuhën e forcës dhe vetëm në atë mënyrë do të rrëzohet si kryeministër. 

Pjesë nga fjala e Berishës: 

Ju përshëndes ju përzemërsisht, të gjithë anëtarët dhe anëtaret, simpatizantët e degëve tuaja të mbarë Tiranës dhe Shqipërisë. Ju falënderoj me shumë mirënjohje për punën që keni bërë dhe bëni, për suksesin e madh të protestës së 11 shkurtit, protestë e cila ka ngjallë shpresat e shqiptarëve kudo që janë, protestë e cila ka një interes të madh në mbarë botën.
Afera Rama-McGonigal, është një aferë botërore, që ka tronditur në fushën e sigurisë, jo vetëm në marrëdhëniet bilaterale, por ka tronditur këtë fushë për SHBA-të, vendet e NATO, dhe vendet e lira në tërësi. Aktin që ka bërë Edi Rama, mund ta ndërmerrte vetëm një fuqi armiqësore ndaj SHBA. Vetëm një vend armik mund ti lejonte vetes, ti korruptojë njeriun më të çmuar të kundërzbulimit, vendit me përgjegjësi më kryesore për sigurinë e botës. Pra në përmasa kjo tejkalon çdo lloj imagjinate për një vend partner, vend të lirë. Secili nga ju në rast se i shtroni pyetjen vetes dhe duhet të ja shtroni, si ka mundësi që ky njeri të ja lejojë vetes një akt të tillë. Ka vetëm një përgjigje, në keqësinë e tij, Edi Rama nuk njeh asnjë kufi. Nuk ka asnjë normë, asnjë virtyt. Njeriu që haptas deklaron se është i aftë të kryejë akte që kurrë njerëzit me moral normal nuk i kryejnë, do të thotë i lejon vetes çdo lloj akti në funksion të pushtetit të vet. Kjo përbën një fatkeqësi të madhe, të jashtëzakonshme, për një komb dhe shoqëri. Kur një kryeministër i lejon vetes çdo akt dhe veprim për të ruajtur karrigen e tij, ai nuk e dorëzon pushtetin në asnjë mënyrë. Ai njeh vetëm një gjuhë, gjuhën e forcës, gjuhën e frikës dhe ai përndryshe nuk ikën.

sali berisha edi rama charles mcgonigal

Sondazh

Poll