Aktualitet

Tërmeti/ Parukieri turk në Shqipëri: Familja e xhaxhait tim ka mbetur nën rrënoja, s'kam lajme prej tyre që nga mëngjesi

Sezer shpjegon se familja e xhaxhait të tij, e cila jetonte në katin e 8 të një pallati, ka mbetur nën rrënoja dhe nuk ka asnjë komunikim me ta.

6 Shkurt 2023, 23:18 Nga F.M
Tërmeti/ Parukieri turk në Shqipëri: Familja e xhaxhait tim ka
Sezer Arslan

TIRANË- Sezer Arslan, parukieri turk që ka aktivitetin e tij në Tiranë ka deklaruar se familja e xhaxhait të tij ndodhet nën rrënoja që në orët e para të mëngjesit dhe nuk ka marrë asnjë lajm prej tyre. I ftuar në “Opinion” Sezer tha se familja e tij ndodhet në Dijarbakër, një prej qyteteve të prekura nga lëkundjet e forta. Sezer shpjegon se familja e xhaxhait të tij, e cila jetonte në katin e 8 të një pallati, ka mbetur nën rrënoja dhe nuk ka asnjë komunikim me ta.

Pjesë nga biseda në studio: 

Sezer Arslan: Familja ime nga ana e babait tim, xhaxhai im, 5 veta, kanë ngelur akoma nën rrënoja.

Blendi Fevziu: Janë nën gërmadha? Familja e xhaxhait?

Blendi Fevziu: Gjithë familja e xhaxhait? Ku banonte familja e xhaxhait?

Sezer Arslan: Po. Në Dijarbakër.

Blendi Fevziu: Në banesë, pallat, shtëpi?

Sezer Arslan: Në katin e tetë. U prish pallati, në mëngjes në orën 04:50 e deri tani akoma nuk kanë dalë.

Blendi Fevziu: Keni komunikim nga brenda apo ata nuk kanë as…?

Sezer Arslan: Komunikim me babin tim, komunikim me çunin e xhaxhait tim, maksimumi që mund të flas, nuk kanë bërë asgjë, po mundohen sepse jo vetëm ai pallat por gjithandej ka viktima.

Blendi Fevziu: Pra forcat e shpëtimit janë të shpërndara në gjithë qytetin.

Sezer Arslan: Deri tani, asgjë.

Blendi Fevziu: Pothuajse kanë kaluar 18 orë, diçka më shumë dhe ata janë akoma nën rrënoja për momentin. Komunikim nga brenda me ta nuk ka, nuk ka asnjë mundësi të flitet, nëse kanë ndonjë celular me vete, ndonjë gjë?

Sezer Arslan: Jo. disa më thanë që nuk përgjigjen, disa thanë që është mbyllur telefoni, nuk përgjigjen. Deri tani asgjë.

Blendi Fevziu: Kur ishte komunikimi i fundit?

Sezer Arslan: Komunikimi i fundit ishte në orën 6 pasdite.

Sezer thotë se familjarët e tij janë të mërzitur e të depresionuar, por ndërkohë ka edhe një tjetër shqetësim.

Sezer Arslan: Familja e nuses e miqtë e mi, mbi 12 ose 13 vetë jetonin të gjithë në një pallat. Edhe ato kanë ngelur, vetëm 4 prej tyre kanë nxjerrë deri më tani, të tjerët akoma.

Çfarë po ndodh në Turqi?

Kufiri mes Turqisë dhe Sirisë është goditur ditën e sotme nga dy tërmete të fuqishme. I pari tronditi banorët rreth orës 04:17 dhe ishte 7.4 ballë. Ndërsa i dyti, 7.7 ballë ndodhi rreth orës 11: 24. Deri më tani, janë shënuar mbi 2701 viktima dhe mbi 10 mijë të plagosur. Lëkundja e parë tronditi banorët rreth orës 04:17 me epiqendër pranë qytetit të Gaziantep. Tërmeti i parë ndodhi 23 kilometra (14.2 milje) në lindje të Nurdagi, provincën Gaziantep, në një thellësi prej 24.1 kilometrash (14.9 milje), tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Nurdagi ndodhet përgjatë kufirit Turqi-Siri dhe tërmeti u ndje në disa vende të rajonit, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin. Ndërtesat u shembën në Kahramanmaraş, Gaziantep, Diyarbakır, Malatya, Şanlıurfa, Adıyaman, Hatay, Adana dhe Osmaniye u shkatërruan. Tashmë ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi. Paslëkundjet deri më tani raportohet të kenë qënë mbi 18.

sezer arslan termet ne turqi

Sondazh

Poll