Aktualitet

Dështon sërish përballja e Reçit me Shullazin në gjykatë, “shkak” Plarent Dervishaj, caktohet seanca e radhës

Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit Ilia Ilia, që mbron në mungesë të pandehurin Plaurent Dervishaj.

6 Shkurt 2023, 10:02 Nga A.B
Dështon sërish përballja e Reçit me Shullazin në
Shullazi dhe Reci

TIRANË- Ka dështuar për herë të katërt përballja e të mbrojturit të drejtësisë, Luftar Reçi me të pandehurit, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Indrit Rusi dhe Endrit Taulla. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit Ilia Ilia, që mbron në mungesë të pandehurin Plaurent Dervishaj. Seanca e radhës u caktua për në datën 20 shkurt.

Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës pezullimin e afateve të paraburgimit për Plaurent Dervishajn, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata. Ndërkohë avokatët i kërkuan togave të zeza, që dëshmitari i drejtësisë, Luftar Reçi t’i japë deklarimet e tij përballë të pandehurve, jo i fshehur dhe i rrethuar me efektivë. Grupi akuzohet për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliu, ngjarje të ndodhura në vitin 2005. 

Në dy seancat e mëparshme shkak ishte bërë mungesa e gjyqtares Etleva Deda pasi ndodhet prej ditësh e shtruar në spital. Gjykata e Posaçme caktoi një tjetër gjyqtare, Flora Hajradinaj, por pavarësisht kësaj në seancën e kaluar u konstatua mungesa e Luftar Reçit.

Këta persona janë arrestuar për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në 2005. Reçi është bërë shkak për arrestimin e anëtarëve të grupit, me dëshmitë e tij, duke treguar emrat e porositësve, organizatorëve dhe ekzekutuesve të Lames e Saliut. Ndërkohë Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj ndodhen në arrati në lidhje me këto dy vrasje. Ky i fundit u shpall në kërkim vetëm pak ditë më parë në kuadër të operacionit "Komploti" edhe si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe "Rrumit të Shijakut" në 2019, ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku.

luftar reci emiljano shullazi viktor ymeri

Sondazh

Poll