Bota

Gjykata në Itali vendos në favor të fëmijëve: Kanë të drejtë që mos të duan t'i shohin gjyshërit

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Kasacionit ka të bëjë me ankesën e prindërve të dy fëmijëve që dolën kundër vendimit të një gjykate më të ulët që i kishte detyruar fëmijët të kalonin kohë me gjyshërit e tyre nga babai.

1 Shkurt 2023, 16:36 Nga k.m.
Gjykata në Itali vendos në favor të fëmijëve: Kanë
Foto ilustruese

ITALI- Gjykata e Lartë e Italisë ka vendosur që fëmijët nuk janë të detyruar të shohin gjyshërit e tyre nëse nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Kasacionit ka të bëjë me ankesën e prindërve të dy fëmijëve që dolën kundër vendimit të një gjykate më të ulët që i kishte detyruar fëmijët të kalonin kohë me gjyshërit e tyre nga babai. Çështja shumëvjeçare u nis nga gjyshërit dhe një xhaxha nga babai, të cilët u ankuan se nuk ishin në gjendje të takonin fëmijët për shkak të pengesave të vendosura nga prindërit, me të cilët kishin konflikte familjare. 

Gjyshërit fituan si në gjykatën e të Shkallës së Parë, ashtu edhe në gjykatën e Apelit të Milanos, e cila në vitin 2019 urdhëroi takime mes tyre dhe fëmijëve në prani të një punonjësi social, ndërsa paralajmëroi prindërit për dëmtimin e mundshëm psikologjik të fëmijëve nga privimi i takimeve me të afërmit e tyre. 

Prindërit argumentuan se takimet nuk u deshën nga fëmijët për shkak të tensioneve të vazhdueshme familjare dhe kështu apeluan në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar vendimin. Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë vendosi që interesat e fëmijëve duhet të mbizotërojnë mbi ato të gjyshërve dhe se nuk mund të imponohet "një marrëdhënie e padëshiruar", aq më tepër nëse fëmijët e kanë mbushur moshën 12 vjeç. 

Sipas një ligji familjar të futur në Itali në vitin 2006, një fëmijë ka të drejtë të mbajë një marrëdhënie me gjyshërit, edhe nëse prindërit e tyre ndahen. Gjyshërit gjithashtu kanë të drejtë t'i kërkojnë gjykatës të përcaktojë nëse vendimi i prindit për t'u mohuar atyre aksesin tek nipërit e mbesat e tyre është i dëmshëm për mirëqenien e fëmijës dhe rrjedhimisht i paligjshëm.

 

itali

Sondazh

Poll