Sport

Serie A/ Milani për turp, keq e më keq! Kriza e kuqezinjve nuk fshihet, Sassuolo i jep një “shuplakë” brenda në “San Siro”

Në “San Siro”: Defrel, Frattesi, Berardi, Laurientè dhe Henrique nënshkruan pesë golat e Sassuolos. Golat e Giroud dhe Origit nuk paten vlerë

29 Janar 2023, 16:41 Nga DOSJA
Serie A/ Milani për turp, keq e më keq! Kriza e kuqezinjve nuk

ITALI - Momenti i zi për kuqezinjtë vazhdon, Milani në pikatë. Në javën e 20-të të Serie A, skuadra e Piolit u turpërua 2-5 në “San Siro” nga Sassuolo, duke konfirmuar momentin negativ që po kalon. Kjo është humbja e dytë radhazi në kampionat për “Djallin” (javën e kaluar u shkatërrua 4-0 nga Lazio), që rrezikon edhe më tepër objektivin Champions.

Milani realizoi që në minutën e tetë me Giroud, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. 11 minuta më vonë u kundërpërgjigj Sassuolo me Defrel, që shënoi golin e parë të sfidës. Vetëm dy minuta më vonë Frattesi thelloi epërsinë, për të ardhur më pas të shkurtimi i diferencës në 1-2 nga Giroud në minutën e 24-t. Pa u mbyllur gjysmë ore lojë, Berardi e çoi rezultatin në 1-3 dhe ndeshja nuk pati më histori.

Me fillimin e pjesës së dytë shënoi Lauriente (47’), ndërsa në të 79-të goditjen e radhës kuqezinjve ia dha Matheus Henrique. Goli i Origi (81’) pak minuta më vonë nuk vlejti për asgjë, pasi humbja e Milanit ishte e pashmangshme. Një gol nga Giroud dhe një nga Rebic u anuluan me VAR, gjithsesi kjo nuk mjafton për justifikim.

B.T (Dosja.al) 

Sondazh

Poll