Politike

Dosja McGonigal/ Meta: Rama ka lobuar shumë për shpalljen time non grata dhe si armik i SHBA

Meta thotë se Rama, me veprime të pabesa dhe nëpërmjet besimit që kanë shqiptarët në SHBA është përpjekur të çojë përpara punët më të errëta që ai di të bëjë. 

27 Janar 2023, 16:43 Nga F.M
Dosja McGonigal/ Meta: Rama ka lobuar shumë për shpalljen time non
Ilir Meta

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është shprehur se kryeministri Edi Rama ka lobuar për shpalljen e tij non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një prononcim për FaxNeës, Meta thotë se ai gjithmonë ka qeshur dhe është tallur kur ka kuptuar përpjekjet e kryeministrit. Referuar dosjes së ish-agjentit të FBI-së, McGonigal, Meta thotë se Rama, me veprime të pabesa dhe nëpërmjet besimit që kanë shqiptarët në SHBA është përpjekur të çojë përpara punët më të errëta që ai di të bëjë. 

Pjesë nga prononcimi i Metës: 

Shtetet e Bashkuara kanë punën e tyre ne do të bëjmë punën tonë. Edi Rama ka shkelur rëndë Kushtetutën e Shqipërisë. Edi Rama ka organizuar shantazhe mafioze kundër opozitës. Edi Rama me veprime të pabesa dhe nëpërmjet besimit që kanë shqiptarët në SHBA është përpjekur të çojë përpara punët më të errëta që ai di të bëjë. Edi Rama dhe vetëm ai dhe personi i kapur në shantazh përmes këtyre lobimeve nga opozita, kanë lobuar shumë për shpalljen time non grata dhe si armik i SHBA. Dhe unë gjithmonë kam qeshur dhe jam tallur me ta. Është për të ardhur keq që kryeministri Shqipërisë lobon kundër presidentit të Shqipërisë. Dhe për ata zyrtarë amerikanë. Kam thënë gjithmonë që marrëdhëniet e mia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shkëlqyera.

Reagimi i Metës vjen pak ditë pasi u publikua dosja e plotë dhe aktakuza me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal./Dosja.al

charles mcgonigal arrestohet charles mcgonigal ilir meta edi rama

Sondazh

Poll