Bota

Daniel Serwer: Asociacioni nuk ishte në versionin e parë, QUINT u takua me Vuçiç për versionin e dytë

Gazeta thekson se Serbia ka kërkuar që ZSO të formohet sa më parë dhe se BE ka përmbushur kërkesën e Beogradit në versionin e dytë të propozimit.

27 Janar 2023, 12:23 Nga I.A
Daniel Serwer: Asociacioni nuk ishte në versionin e parë, QUINT u
Daniel Serwer

SHBA- Bashkimi i Komunave Serbe (ZSO) nuk ishte në versionin bazë të propozimit gjermano-francez, pohon eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, në një prononcim për të përditshmen vjeneze "Standard". Gazeta thekson se Serbia ka kërkuar që ZSO të formohet sa më parë dhe se QUINT ka përmbushur kërkesën e Beogradit në versionin e dytë të propozimit.

Serwer lidhur me këto akuza, flet për “shtesë të dyshimtë” nga njëra anë dhe “elementë të rëndësishëm të munguar” nga ana tjetër. Profesori i Universitetit Johns Hopkins thotë gjithashtu se propozimi parasheh që Komuniteti të financohet drejtpërdrejt nga Serbia.

"Është e sigurt se Beogradi mund të përdorë Komunitetin për të ushtruar kontroll, por Beogradi tashmë kontrollon dhe financon komunat me shumicë serbe përmes Listës Serbe," tha Serwer.

Në këtë kuptim, ai përmend si të vetmen gjë pozitive që kontrolli dhe financimi i Komunitetit nga Beogradi do të bëhej transparent. Ai kritikon faktin se propozimi, nuk i referohej Kushtetutës së Kosovës si pikënisje, pasi që Gjykata Kushtetuese i shpalli parimet e planifikuara në kundërshtim me kushtetutën.

Ai po ashtu pretendon se në propozim nuk përmenden pesë anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën. Ai po ashtu ka thënë se 10 vjet më parë, kur u dakordua për ZSO-në, shumë supozuan se Serbia një ditë, në kuadër të zgjerimit të BE-së, do ta njohë Kosovën, gjë që, rrjedhimisht, do ta bënin edhe pesë anëtarë të Unionit.

Megjithatë, ai vlerëson se askush në Ballkan nuk beson më në zgjerimin e BE-së, ndërsa në Serbi, në veçanti, pothuajse nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim vitet e fundit. Serwer thotë gjithashtu se propozimi nuk ka të bëjë fare me marrëveshjen mes dy Gjermanive të vitit 1973, sepse Kosova nuk ka asnjë shans që përmes marrëveshjes të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Ai shton se në mesin e diplomatëve që merren me këtë propozim, flitet për një “zgjidhje të ndërmjetme”, ndërsa SHBA-të, të cilat janë dukshëm prapa propozimit, siç thotë ai, duan të qetësojnë situatën në Ballkan dhe të kufizojnë ndikimin e Rusisë. Serwer gjithashtu beson se është relativisht e lehtë të bëhet presion mbi Kosovën, sepse Prishtina nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ndjekë NATO-n dhe BE-në.

“Presioni ndaj Serbisë është shumë më i vogël. Presidenti i Serbisë bëri një lojë të suksesshme sigurie duke balancuar Rusinë dhe Kinën kundër BE-së dhe SHBA-së. Ajo lojë mund të përfundojë tani. Evropianët e vënë Serbinë para një ultimatumi të fortë, përmbajtja konkrete e të cilit është e pasigurt, por e lehtë për t'u imagjinuar”, tha Serwer.

daniel serwer dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll