Bota

Deklarata e bujshme e Lajçak për 'zbatimin' e marrëveshjeve, Kurti me pikëpyetje nga takimi, kërkon argumenta të qarta

Pjesa e fundit, kjo ku Lajcak thoshte se ishin pajtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, që i bie edhe për Asocacionin e komunave me shumicë serbe, mori vëmendjen më të madhe.

26 Janar 2023, 17:52 Nga a.l
Deklarata e bujshme e Lajçak për 'zbatimin' e
Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak

KOSOVË- Deklarata e të dërguari të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me kreun e qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ku shprehej se kishin rënë dakord që marrveshjet e dialogut të zbatoheshin dhe më pas reagimi i Kurtit sot për Asociacionin, duket sikur të mos kishin qenë të dy në njëjtin takim. Sipas emisarit të BE-së, ai dhe Kurti janë pajtuar që duhet të zbatohen në plotni  të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Kryeministri sot mbajti një ligjëratë për Asociacionin të cilin nuk pranon ta trajtojë me prioritet. Megjithatë, Kurti është i gatshëm të negociojë për të, njësoj sikurse edhe për planin franko-gjerman.

Zyra e Kurtit, për arsye të panjohura, dje e mohoi se Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, do të takohej me Kryeministrin Albin Kurti, të enjten në mbrëmje.

Ata thanë se ekipi i Lajçak s’ka kërkuar takim. Por, takimin e zbuloi pas mesnatës diplomati evropian, me një fotografi në një ambient restoranti, ku ai, Kurti dhe zëvendësi Besnik Bislimi kishin pasur darkë me verë dhe “diskutim të sinqertë”.

U ktheva në Kosovë për diskutimet e sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi për hapat e mëtutjeshëm drejt normalizimit të raporteve me Serbinë. Po ashtu, u pajtuam që të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në Dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajcak.

Pjesa e fundit, kjo ku Lajcak thoshte se ishin pajtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, që i bie edhe për Asocacionin e komunave me shumicë serbe, mori vëmendjen më të madhe.

Deri sot, Kryeministri Kurti nuk ishte deklaruar për zhvillimet e fundit, nisur nga takimi i së premtes që ai e pati me pesë diplomatët e Perëndimit. Pas këtij takimi kanë folur të gjitha palët, janë dhënë versione të ndryshme rreth tij, por, Kurti jo.

Kurti s’deshi të fliste as sot para gazetarëve, duke u shprehur pakënaqësi që i kishin zënë derën kur hasi në ta, teksa po dilte nga një forum ekonomik, i mbajtur në Prishtinë. Por, megjithatë iu desh të fliste për atë që e shkroi dje Lajcak. Dhe, nuk e pranoi se postimi i Lajcak  qëndronte, duke i ribërë një analizë marrëveshjes për formimin e Asociacionit.

Ka insistim nga faktori ndërkombëtar që Asociacioni i komunave më shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar me datën 19 prill 2013 e më pastaj edhe i elaboruar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit të vitit 2015 të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje që nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra në një mënyrë ajo është marrëveshje e theksuar, është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti.

Në vazhdim të kësaj, Kryeministri la të kuptohet se kjo temë duhet të trajtohet në bisedime.

Tash procesi negociator duhet të na shpie përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e riktheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierakik dhe nenet në propozimin e BE-së kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje”.

Ndërkombëtarët e kanë kthyer Asociacionin në çështjen absolutisht më të rëndësishme, ndërsa Kurti edhe sot, u përpoq të tregojë se të gjitha marrëveshjet janë të barabarta dhe Asociacioni nuk është “më i barabarartë” se të tjerat.

Marrëveshjet e Brukselit janë të vendosura në një rrafsh horizontal, ndërkaq në anën tjetër këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari si parakusht”, është shprehur Kurti.

Pas shkrimit të Lajcakut, u mor se Kurti veçse ka nisur të bindej për çështjen që ai e ka kundërshtuar më së gjati – formimin e Asociacionit. Për ta përforcuar më shumë qëndrimin kundër, Lëvizja Vetëvendosje shpërndau një pjesë të deklaratës që Kurti e bëri sot para mediave.

Ai la të kuptohet se me këmbënguljen për themelimin e Asociacionit, po kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës.

Ata që kërkojnë asociacion një etnik, ata kërkojnë ndryshim të kushtetutës së Kosovës e unë besoj që për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndryshohet kushtetuta e Serbisë", tha ai. 

Ndërkombëtarët tashmë kanë nisur diskutimet për Asociacionin, ashtu siç kishin paralajmëruar zyrtarët e lartë amerikan, se nëse Kurti dhe Qeveria e tij nuk pranojnë të nisin procedurat, ato gjithsesi se do të nisin, pa miratimin e tyre. Më 31 janar, në Ambasadën amerikane mbahet një diskutim rreth Asociacionit, ndërsa në mesin e të ftuarve që e ka konfirmuar pjesëmarrjen është edhe ministri i Kurtit, Nenad Rashiq. Ai ka këkruar edhe më herët të formohet Asociacioni, ndërsa Kurti ka thënë se në këtë pikë nuk pajtohen ata të dy.

Kurti nuk e ka pranuar definitivisht as planin franko gjerman për të cilën dikur e akuzonte Vuçiqin se e ka hedhur poshtë. Por, të enjten ai tha se nuk e do këtë plan si dokument të panegociushëm

“Diplomacia fluturuese iu është bashkangjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”, ka thënë Kurti. /Express/

albin kurti takohet me lajcak

Sondazh

Poll