Aktualitet

Vendin e saj e mori Holta Zaçaj/ Kërkoi rishikimin e pikëzimit, KED rrëzon kërkesën e Elsa Mihas për në Kushtetuese

Elsa Miha kërkoi që të rishihej pikëzimi i bërë nga KED që shpalli fituese për në Gjykatën Kushtetuese kandidaten, Holta Zaçaj.

20 Janar 2023, 16:01 Nga k.m.
Vendin e saj e mori Holta Zaçaj/ Kërkoi rishikimin e pikëzimit,
Foto ilustruese

TIRANË- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka rrëzuar kërkesën e kandidates për në Gjykatën Kushtetuese, Elsa Miha, duke hedhur poshtë pretendimet e saj për rishikimin e pikëzimit. Miha kërkoi që të rishihej pikëzimi i bërë nga KED që shpalli fituese për në Gjykatën Kushtetuese kandidaten, Holta Zaçaj. Por në mbledhjen e sotme të KED u vendos që ankesa e saj të mos merrej parasysh.

Vetëm disa ditë më parë, në mungesë të një votimi me shumicë, Gjykata e Lartë vendosi të emërojë si anëtaren e re të Gjykatës Kushtetuese kandidaten Holta Zaçaj, e renditur e para në listën e KED-së. Por, procesi i pikëzimit krijoi dyshime të forta për favorizim të kandidates fituese së kësaj gare. Juristja Holta Zaçaj kishte aplikuar për dy vakanca në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në një procedurë të mbyllur në gusht të vitit 2022, e vlerësoi kandidaten me 82.2 pikë.

Në atë procedurë, kandidatja Zaçaj nuk arriti të zgjidhej në postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese. Më pas, KED, në një procedurë të paqartë, vendosi rishikimin e vendimit që kishte marrë në Gusht 2022 dhe, pa kryer një vlerësim të ri, por vetëm duke i konsideruar ekuivalentimin e diplomës master, i shtoi pikë kandidates, duke e dërguar në nivelin e 84.7 pikëve. Ndërsa Mihas nuk iu pranuan dokumentat që ajo kishte paraqitur.

NJOFTIM PËR MEDIAN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij të përhershëm dhe atyre zëvendësues, të Avokatit të Popullit, si edhe përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e premte, datë 20 janar 2023, mbledhjen e tij të radhës, sipas rendit të ditës së njoftuar në datë 18 janar 2023. Sikurse ishte parashikuar, KED diskutoi në lidhje me kërkesën e paraqitur nga kandidatja për një vend vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese Zj. Elsa Miha, për rishikimin e Vendimit nr. 65 datë 22.12.2022 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në përfundim të mbledhjes, KED vendosi: Mospranimin e shqyrtimit të kërkesës së znj. Elsa Miha për rishikimin e vendimit nr. 65, datë 22.12.2022 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për vlerësimin dhe pikëzimin e kësaj kandidate, për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë.

elsa miha vakancat në gjykatën kushtetuese

Sondazh

Poll