Bota

Presidentja Osmani takohet me kryediplomaten sllovene Tanja Fajon: Serbia po pengon dialogun

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, marrëdhëniet me Slloveninë janë vlerësuar si tejet miqësore, teksa presidentja Osmani ka çmuar mbështetjen historike të Sllovenisë për Kosovën dhe për integrimin e saj ndërkombëtar, derisa falënderoi Slloveninë për angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, të cilën gjë e ka treguar edhe me emërimin e një emisari special.

16 Janar 2023, 15:39 Nga I.A
Presidentja Osmani takohet me kryediplomaten sllovene Tanja Fajon: Serbia po
Tanja Fajon dhe Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon. Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, marrëdhëniet me Slloveninë janë vlerësuar si tejet miqësore, teksa presidentja Osmani ka çmuar mbështetjen historike të Sllovenisë për Kosovën dhe për integrimin e saj ndërkombëtar, derisa falënderoi Slloveninë për angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, të cilën gjë e ka treguar edhe me emërimin e një emisari special.

Sipas Presidencës në takim u diskutua edhe përkushtimi i përbashkët i thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve në fusha të ndryshme. Presidentja Osmani dhe zëvendëskryeministrja Fajon diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në veri të vendit dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit. Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka potencuar se Kosova mbetet palë konstruktive, "por Serbia me pengesat e saj dhe duke përdorur bandat kriminale në veri të vendit po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe ta pengojë dialogun".

Tutje, presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se synim parësor mbetet integrimi euroatlantik i Kosovës, derisa kërkoi mbështetjen e Sllovenisë për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare. Ministrja sllovene Fajon është pritur më herët edhe nga homologia e saj Donika Gërvalla, ndërsa po ashtu do të pritet edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

tanja fajon vjosa osmani

Sondazh

Poll