Politike

Përjashtimi i 4 deputetëve të PD nga Alibeaj/ Shehi: Qëllimi s’janë zgjedhjet, por kontrolli i oborrit opozitar

Sipas Shehit, nëse nuk arrihet një marrëveshje për bashkim të PD, atëherë duhet të shihet mundësia e ndarjes në fraksione dhe në zgjedhje të përcaktohet se cila palë ka shumicën.

10 Janar 2023, 20:02 Nga F.M
Përjashtimi i 4 deputetëve të PD nga Alibeaj/ Shehi: Qëllimi
Dashamir Shehi

TIRANË- Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi tha se qëllimi i Enkelejd Alibeajt me përjashtimin e katër deputetëve nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, nuk është fitimi i zgjedhjeve lokale, por kontrolli i oborrit opozitar. I ftuar në emisionin “Frontline” në News24 me gazetaren Marsel Karapanço, Shehitha se opozita duhet të merret me politikë të vërtetë dhe se qëllimi kryesor duhet të jetë goditja e kryeministrit Edi Ramës dhe qeverisjes socialiste e jo ndasitë mes tyre. Sipas Shehit, nëse nuk arrihet një marrëveshje për bashkim të PD, atëherë duhet të shihet mundësia e ndarjes në fraksione dhe në zgjedhje të përcaktohet se cila palë ka shumicën.

Pjesë nga biseda në studio:

Dashamir Shehi: Praktikë boshe. Dihet që janë dy grupe, përjashtimi vlen kur je pjesë e një komuniteti, që këto nuk janë. Duket e kotë dhe e çuditshme edhe qe grupi i Alibeaj merret me këtë punë kanë punë të tjera shumë më të rëndësishme nëse duan të merren. Kjo nuk është politikë. Vlera reale është kur të mblidhen votat sa kanë grupet. Dy grupet nuk puqen më me njëri tjetrin, por mendoj se duhet të puqen rreth kandidatit të përbashkët në secilin qytet. Në gjykimin tim, Alibeaj duhet ta kishte harruar këtë gjë një vit më pas. Të dy palët e PD nuk duhet të merreshin me këtë punë, duhet të merreshin me 8 janarin, një skenë e turpshme për të dy palët. Sulmuan e u mbrojtën me hu e me dru. Kanë idenë se selia dhe vula qenka partia, por partia është vota. Nuk janë marrë as me vota e as me ide por me kush kontrollon, oborrin dhe vulën. PD duhet ta harrojë atë ditë, të dy palët. Do i thoja të merren me politikë reale, të goditet Rama dhe qeveria socialiste, të goditet korrupsioni dhe ti japim shpresë shqiptarëve me një projekt politik se si e mendojmë ne Shqipërinë e së nesërmes, si kërkojmë ta nxjerrim ekonominë nga kolapsi. Këto duhen diskutuar. Kohë nuk kemi shumë por kemi mjaftueshëm për të bërë disa zgjedhje të arsyeshme. Për mua kjo e përjashtimit nuk vlen. Alibeaj duhet ta bëjë të qartë sot shqiptarëve që nuk hyj me Foltoren në zgjedhje dhe të prezantojë tezat politike. Janë zënë me njëri tjetrin se je i rusëve apo amerikanëve por jo për ide dhe për propozime se çdo bëhet. Do e ftoja të merrej me politikë reale. Alibeaj përfaqëson një pjesë të opozitës, të tjerët pjesën tjetër që realisht është më e madhe. PD ka një vit që është në situatë bolshevizmi cila është shumicë. Brenda PD duhet të ketë njerëz që mendojnë ndryshe por duhej gjetur një formulë për tu bashkuar. Më mirë të shpallin fraksion e në zgjedhje të tregohet kush ka mbështetjen më të madhe. Nëse në zgjedhje hyjnë të ndarë i lind e drejta edhe të tjerëve brenda PD që të dalin 3 apo 4. E mira për të goditur Ramën është të hyjnë bashkë.

Karapanço: Më 17 janar jepet vendimi për vulën. Cili është komenti juaj?

Shehi: Për mua as ajo nuk vlen, është një muhabet bosh. Vula është një burokraci për të hyrë në zgjedhje. Hallin nuk e kanë për të hyrë në zgjedhje por kush kontrollon oborrin opozitar.

Enkelejd Alibeaj ka përjashtuar nga grupi parlamentar 4 deputetë, që janë mbështetës të Sali Berishës. Më konkretisht bëhet fjalë: Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn. Alibeaj pretendon se 4 deputetë nuk kanë reflektuar për aktet e dhunës ndaj selisë së PD-së në protestën e 8 janarit.

dashamir shehi

Sondazh

Poll