Politike

Skandali me rrugën 'Xhon Belushi', Veliaj: Ata që e bllokojnë për 5 vota, do ikin me bisht ndër shalë më "15 maj”

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ata që bllokojnë punimet, e bëjnë vetëm për 5 vota më shumë në zgjedhjet lokale të 14 majit. 

10 Janar 2023, 14:10 Nga k.m.
Skandali me rrugën 'Xhon Belushi', Veliaj: Ata që e
Erion Veliaj

TIRANË- Në lagjen e re “5 Maji”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar edhe skandalin për tenderin fiktiv të rrugës "Xhon Belushi", që lidhej me rikonstruksionin e saj me një vlerë prej 471 mln lekësh. Duke pretenduar se rikonstruksioni i rrugës ishte projekti i radhës që bllokohej nga deputetët e Partisë Demokratike, kryebashkiaku tha se ata që bllokojnë punimet, e bëjnë vetëm për 5 vota më shumë në zgjedhjet lokale të 14 majit. 

“Unë e kuptoj, kur vjen fushata njerëzit dalldisin, por çështja është se do vijë prapë 15 maji, do dalin prapë në rrugë dhe njerëzit do thonë: Kush e përdori fushatën për të ndërtuar, për të punuar, për të bashkuar njerëzit dhe kush e përdori për të sabotuar, për të penguar e për t’i përçarë njerëzit. Tirana është më e madhe se të gjithë ne, komuniteti është më i fortë se të gjitha partitë dhe e ardhmja do na gjykojë mbi mënyrën se si jemi sjellë këto ditë. Nëse për tre vota, apo për pesë u themi njerëzve rrini në rrënoja, bllokoni investimet, bëni barrikada ndaj shtetit, atëherë sigurisht do ikin me bisht ndër shalë në datë 15 maj, sepse do gdhijë dielli, do gdhijë dita, do gdhihen njerëzit e do thonë: Ej, çfarë ishte gjithë kjo, çfarë ishin këto 100 ditë sherre, rrëmuja e pengesa? Ftesa për të gjithë qytetarët është: Bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim dhe punë, punë, punë!,” deklaroi ai.

Një megaskandal është denoncuar nga Partia Demokratike dy ditë më parë. Kandidati i PD për Tiranën, Belind Këlliçi denoncoi aferën e asfaltit elektoral, ku tregoi se një tender fiktiv u shpall nga bashkia më 19 dhjetor 2022. Bëhej fjalë për ndërtimin e rrugës John Belushi, për të cilën nisën procedurat e tenderit, do të kushtonte 471 milionë lekë, pa pasur një fitues tenderi. Një ditë pasi PD denoncoi aferën, bashkia vendosi të anulojë tenderin. Por kryebashkiaku deklaron se anulimi është bërë më herët dhe nuk lidhet me PD. Ai shton se rruga do ndërtohet me paratë e ndërmarrjes. Vijimin e punimeve pa pasur një fitues për tenderin, Veliaj e justifikon me faktin se duke qenë se Ujësjellësi i kishte mbaruar të gjitha procedurat, duhej ndërhyrë dhe nuk mund të lihej në atë mënyrë.

erion veliaj skandali me rrugen xhon belushi

Sondazh

Poll