Politike

Mbledhja me ministrat, Rama: 984 laboratorë për revolucionin dixhital brenda vitit 2024

Ai shton gjithashtu se brenda janarit do të startojë programi i kodifikimit për 1200 të rinj.

5 Janar 2023, 12:11 Nga F.M
Mbledhja me ministrat, Rama: 984 laboratorë për revolucionin dixhital
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama thotë se 984 laboratorë ‘smart’ do të ndërtohen brenda vitit 2024. Në një postim në Facebook, ndërkohë që ndodhet në një mbledhje me ministrat, Rama bën me dije se ky është objektivi i qeverisë për atë që e quan revolucioni dixhital. Ai shton gjithashtu se brenda janarit do të startojë programi i kodifikimit për 1200 të rinj.

"Laboratorët smart dhe hyrja në mësimin e gjuhës digjitale qysh në klasën e parë do ta kthejnë hap pas hapi Shqipërinë në një hapësirë shembullore punësimi cilësor për të rinjtë, ndërkohë që programi i ri vjetor i Kodimit do t’u japë brenda një kohe të shkurtër të rinjve të përfshirë, çelësin për të hyrë tregun global online me paga të larta,"- thotë Rama.

Mbledhja ka nisur që dje në mesditë kur kanë filluar raportimet në çdo ministri, të ndara në 4 grupe. Grupi i parë është i ekonomisë ku janë Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Turizmit, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Sipërmarrjes. E më pas dhe të tjerat me radhë. Grupi i fundit që raportoi dje ishte Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë. Sot do të jetë grupi i mbrojtjes dhe diplomacisë, pra Ministria e Jashtme dhe e Mbrojtjes, për t'ua lënë radhën drejtuesëve të qarqeve.

edi rama

Sondazh

Poll