Sport

Seria A/ Dzeko fundos Napolin dhe rihap kampionatin, KO i parë për Spallettin...

Goli i boshnjakut Dzeko në fillimin e pjesës së dytë i fundos napolitanët pas njëmbëdhjetë fitoreve dhe pesëmbëdhjetë rezultateve pozitive radhazi: renditja është ngushtuar

4 Janar 2023, 23:20 Nga DOSJA
Seria A/ Dzeko fundos Napolin dhe rihap kampionatin, KO i parë për

ITALI - Interi mundi 1-0 Napolin në ndeshjen e vlefshme për ditën e 16-të të Serisë A dhe u shkaktoi napolitanëve humbjen e parë këtë sezon. Ndeshja u vendos nga një gol i Dzeko në minutën e 56-të, i cili përfitoi nga gjumi i përgjithshëm i mbrojtjes kundërshtare. Gara e djemve të Spallettit ndalet në ‘San Siro’, ndërsa ata të Inzaghit vazhdojnë me Juventusin dhe Milanin, duke ndihmuar në shkurtimin e renditjes.

Pas njëmbëdhjetë fitoreve dhe pesëmbëdhjetë rezultateve pozitive radhazi, Napoli e gjen veten që të përballet edhe me nokautin e parë në ligë. Skuadra e Spallettit shfaq disa kufizime në nivelin sulmues si kurrë më parë, pikërisht në mbrëmjen kur Interi rizbulon atë qëndrueshmëri mbrojtëse që dukej se e kishte humbur. 

Zikaltrit fitojnë një përballje thelbësore të drejtpërdrejtë pa rrezikuar praktikisht asgjë, falë përpikmërisë para portës së të përjetshmit Dzeko dhe gjithashtu duke i bërë një nder rivalëve të tyre: Milani shkurton në -5 nga kreu, Juve në -7. Kampionati i Seria A duket gati për të marrë zjarr.

Inzaghi mbështetet në dyshen Dzeko-Lukaku, titullar pas më shumë se 4 muajsh, dhe çuditërisht zgjedh Darmian në vend të Dumfries, ndërsa Spalletti fokusohet në njëmbëdhjetëshen e testuar me Oliverën në vend të Mario Ruit. Zikaltrit e nisën me këmbën në gaz megjithatë pjesa e parë u mbyll 0-0, me 65% posedim në favor të Napolit, por me shanse vetëm për Interin.

Skuadra e Inzaghit e nis me agresion të madh pjesën e dytë dhe me meritë zhbllokon ndeshjen në minutën e 56-të. Napoli tenton të reagojë, por shansi i parë real i ‘azzurrëve’ vjen vetëm në minutën e 90-të, me një goditje të fuqishme por qendrore të Raspadorit. Bilbili i trefishtë i Sozzës shuan çdo shpresë të Napolit dhe gëzon Interin.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll