Aktualitet

Djali dyshohet se vrau Edmond Papën, Policia: Pezullohet efektivi Dilaver Velo 

Pas vrasjes, Velo është larguar drejt Francës dhe është arrestuar në Rinas më 31 dhjetor. Pas pezullimit nga puna, SHÇBA ka nisur hetim ndaj punonjësit të policisë.

3 Janar 2023, 13:32 Nga I.A
 
Djali dyshohet se vrau Edmond Papën, Policia: Pezullohet efektivi Dilaver
Albano Velo dhe Dilaver velo

TIRANË- Efektivi i policisë Dilaver Velo është pezulluar nga puna për shkak se djali i tij akuzohet për vrasjen e biznesmenit në Tiranë Edmond Papa. Albano velo dyshohet se së bashku me një 44-vjeçar me iniciale A.B kanë vrarë më 16 dhjetor biznesmenin nga Saranda në Selitë. Pas vrasjes, Velo është larguar drejt Francës dhe është arrestuar në Rinas më 31 dhjetor. Pas pezullimit nga puna, SHÇBA ka nisur hetim ndaj punonjësit të policisë. 

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit Në lidhje me identifikimin, kapjen dhe ndalimin e njërit prej autorëve të vrasjes së shtetasti E. P., nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi i ndaluar A. V., është djali i një punonjësi Policie. Menjëherë pas ndalimit të shtetasit A. V. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor D. V., me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë. Gjithashtu Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin e thelluar ndaj punonjësit të Policisë, të pezulluar nga detyra.

Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit. Krimi u pasua me vrasjen e dy shqiptarëve ne Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, më konkretisht nga qelia e liderit të mafies shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj. Pas vrasjes së dy shqiptarëve në Athinë, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. Dyshohet se ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.

edmond papa dilaver velo albano velo

Sondazh

Poll