Politike

'Kim e përfshirë në korrupsion madhor'/ Berisha: Barazoi veten me Lindita Nikollën

Berisha u shpreh se ambasadorja është përfshirë në një akt madhor korruptiv.

30 Dhjetor 2022, 12:35 Nga A.B
'Kim e përfshirë në korrupsion madhor'/ Berisha:
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e fundit për këtë vit sulmoi sërish ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim. Ai u shpreh se ambasadorja është përfshirë në një akt madhor korruptiv.

Më tej, ai shtoi se Kim arriti deri në atë fazë saqë barazoi veten me kryeparlamentaren Lindita Nikollën në vështrimin e historisë.

'Ky ishte një vit i ngarkuar. Po kështu ky ishte viti i 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane. Nuk kishte kremtim më të padenjë se ai që organizoi guvernatorja Kim për 100-vjetorin. Ajo për një vit me radhë mbajti flamurin e cancel kulture. Falsifikoi në mënyrën më të paskrupullt 100-vjetorin e marrëdhënieve të shqiptarëve me vendin që ata adhurojnë më shumë. Arriti deri aty sa barazoi veten me Lindita Nikollën në vështrimin e saj të historisë. Nxorën figura të inkriminuara këmbë e krye si Taulant Balla si kremtues.
U përpoq të manipulonte me çdo mënyrë vizitat e ish-personaliteteve, por që dështoi. Së fundmi, porositi një dokumentar të tipit socialist, të realizimit socialist, ku marrëdhëniet mes dy vendeve ndërpriteshin në vitin 1991. E kuptoni vetë. Ata që bëjnë betejë me historinë, e kanë një vend në histori.

Edi Rama përdori drejtësinë me qëllimin e vetëm që të gjunjëzonte opozitën. Përdori bandat, forma nga më të turpshme të korrupsionit gjer dhe sulmet fizike të paprecedentë ndonjëherë në historinë e këtij vendi me qëllimin me ogurzi të zhdukjes së opozitës. Në këtë përpjekje do të nxi në historinë e turpit qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila në një akt madhor korruptiv kishte mashtruar qeverinë e vet për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës. Bëri gjithçka ti diktojë opozitës kryetarin e saj. Përdori abuzoi dhe shpërdori duke shkelur çdo ligj, çdo konventë ndërkombëtare për ti diktuar opozitës kryetarin. Por ky është viti i opozitës pasi asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve.'- tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll