Bota

Lirimi i ish-policit Dejan Pantiç, zyrtarët evropianë kërkojnë heqjen e barrikadave

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon përmes një reagimi në Twitter ka mirëpritur vendimin për lirimin e Pantiç, ndërsa ka kërkuar largimin e barrikadave në veri.

28 Dhjetor 2022, 15:15 Nga a.l
Lirimi i ish-policit Dejan Pantiç, zyrtarët evropianë
barrikada

KOSOVË- Gjykata Themelore e Prishtinës sot ndryshoi masën e sigurisë për ish-policin serb Dejan Pantiç, duke e lënë atë në arrest shtëpie. Pas këtij vendimi, zyrtarët evropianë kërkojnë heqjen e barrikadave, të cilat janë vendosur në veri të Kosovës që më datë 10 dhjetor kur u bë edhe arrestimi i Pantiç. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon përmes një reagimi në Twitter ka mirëpritur vendimin për lirimin e Pantiç, ndërsa ka kërkuar largimin e barrikadave në veri.

E mirëpres vendimin e gjykatës për dërgimin e Dejan Pantiqit, polic i Kosovës, në arrest shtëpiak. Kjo duhet të çojë në heqjen e menjëhershme të barrikadave në veri dhe de-përshkallëzimin e plotë. Mbështetje e plotë për EULEX-in dhe KFOR-in në në mbikëqyrjen e tyre”, ka shkruar Von Cramon.

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti i Bundestagut gjerman, Thomas Hacker i cili ka thënë se është koha që të hiqen barrikadat.

Dejan Pantiç është liruar nga paraburgimi dhe është dërguar  në arrest shtëpiak. Tani është koha për të hequr të gjitha barrikadat nën mbikëqyrjen e KFOR-it dhe EULEX-it. Duhet të rikthehet liria e lëvizjes në Kosovë”, ka shkruar Hacker.

Ndërkaq deputetja e Parlamentit në Britani të Madhe, Alicia Kearns ka kërkuar që shteti i saj të ketë fokus më shumë në Ballkanin Perëndimor.

Urgjentisht duhet të shihet një fokus nga Qeveria e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Përshkallëzimi dhe agresionet e vazhdueshme nga Serbia ndaj Kosovës janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, ka shkruar Kearns.

Arrestimi i ish-policit serb Dejan Pantiç më 10 dhjetor është bërë shkak që të nisin tensionet në veri të Kosovës e cila sot shënon ditën e 19-të e bllokimit nga barrikadat e serbëve. Gjatë kësaj kohë janë shënuar një sërë incidentesh dhe sulmesh, ku përmendim atë më të fundit, që u shënua vetëm 3 ditë më parë në Zubin-Patok aty ku patrullonte dhe misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR). Reagime pati nga të dyja palët. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç urdhëroi shtimin e njësisë së tij ushtarake dhe gatishmërinë e tij. Ndërsa kreu i ushtrisë serbe u nis për në Rashkë e cila ndodhet afër kufirit me Kosovën. Mbrëmjen e djeshme rreth 20 serbë kanë bllokuar pikën kufitare Merdare, në shenjë mbështetjeje për serbët në veri të Kosovës. Vendkalimi kufitar është i bllokuar në anën e Serbisë nga drejtimi i Kurshumlisë. Automjete të artilerisë së rëndë, traktorë dhe kamionë kanë bllokuar kufirin. Emigrantët që ktheheshin nga Kosova për festat e fundvitit janë sulmuar me bomba zhurmuese. Ata u shprehën se ky është haptazi një provokim. Ministria e Punëve të jashtme të Kosovës ka njoftuar se pika kufitare Merdare do të mbyllet deri në në njoftim të dytë ku barrikadat e vendosura të hiqen dhe udhëtarët të qarkullojnë lirshëm./ Dosja.al

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll