Aktualitet

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda: 3 pistat ku duhet të hetojë Prokuroria për zbardhjen e fatit të Ervis Martinajt

Beci tha se duhet hetuar nëse Martinaj është zhdukur vetë për të humbur gjurmët për shkak të precedentëve, nëse është rrëmbyer apo dhe nëse është vrarë nga rivalët e tij.

25 Dhjetor 2022, 16:07 Nga F.M
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda: 3 pistat ku duhet të
Ervis Martinaj

TIRANË- Ish-prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci ka renditur tre pistat në të cilat duhet të fokusohet Prokuroria për të zbardhur fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 9 gushtit. I ftuar në emisionin “Review” në EuroNews, Beci tha se duhet hetuar nëse Martinaj është zhdukur vetë për të humbur gjurmët për shkak të precedentëve, nëse është rrëmbyer apo dhe nëse është vrarë nga rivalët e tij.

 “Versionet janë versionet e hetimit. Largimi i vullnetshëm i personit, ose ajo që quhet vetëzhdukje. Për shumë arsye, zhduket, humbet çdo gjurmë, për shumë arsye, qoftë për problemet, precedentët apo për borxhet, flas në teori pse ndodh një gjë e tillë. Pika e dytë, rrëmbimi apo mbajtja peng e personit, kemi apo jo pasojë, është tjetër problem Dhe versioni tretë, vrasja e drejtpërdrejtë e personit. Këto janë tre versionet dhe këto tre versione, jo policia, por edhe prokuroria së bashku duhet t’i eliminojnë njëra me tjetrën,”- theksoi ai.

Në burg pas zhdukjes së Martinajt ndodhet ish-efektivi Jeton Lami, i cili kohët e fundit është raportuar se ka folur para tre prokurorëve që kanë dosjen në dorë. Ai u arrestua pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.

eugen beci ervis martinaj zhduket ervis martinaj

Sondazh

Poll