Aktualitet

Sekuestrohet automatiku me 30 fishekë në Kukës, iu gjet babait që dhunoi vajzën, në kërkim djali që iu sul të atit për motrën

I mituri është shpallur në kërkim. Në shtëpinë e familjes është gjetur dhe sekuestruar një automatik me 30 fishekë. 

23 Dhjetor 2022, 10:29 Nga F.M
Sekuestrohet automatiku me 30 fishekë në Kukës, iu gjet babait
Automatiku i sekuestruar, Kukës

KUKËS- Një 56-vjeçar është vënë në pranga, ndërsa djali i tij është shpallur në kërkim për dhunë në familje. Në njoftimin e policisë së Kukësit, bëhet me dije se 56-vjeçari është arrestuar pasi ka dhunuar vajzën e tij, 19 vjeçe. Djali, vetëm 17 vjeç, i ka dalë në mbrojtje të motrës dhe ka goditur babain me sende të forta. I mituri është shpallur në kërkim. Në shtëpinë e familjes është gjetur dhe sekuestruar një automatik me 30 fishekë. 

Njoftimi i policisë Kukës: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lusen”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale në familje. Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës me sende të forta, mes anëtarëve të një familjeje. Arrestohet në flagrancë 56-vjeçari që ushtroi dhunë fizike ndaj vajzës së tij. Shpallet në kërkim djali i tij i mitur, i cili ushtroi dhunë ndaj babait të tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës. Gjatë kontrollit në banesën e kësaj familjeje, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zall Lusen, po ndodhte një konflikt në familjen e shtetasit E. P., menjëherë organizuan operacionin policor të koduar "Lusen", për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 56 vjeç, banues në fshatin Zall Lusen, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi E. P. ka ushtruar dhunë fizike dhe ka goditur me mjete të forta vajzën e tij 19 vjeçe, për motive të dobëta. Më pas, djali 17 vjeç ka ndërhyrë dhe e ka goditur me mjete të forta babanë e tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim 17-vjeçari, për veprën penale “Dhuna në familje”. Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

policia e kukesit

Sondazh

Poll