Politike

Protothema për Begajn: Ish-ushtaraku nacionalist u shqetësua nga flamuri grek në Finiq dhe kërkoi të hiqet, të gjithë e braktisën

Edhe kryebashkiaku Kristo Kiço ka anuluar pritjen që i kishte përgatitur për takimin me intelektualë. Protothema e konsideron Begajn, një ish-ushtarak me logjikë nacionaliste.

23 Dhjetor 2022, 09:05 Nga F.M
Protothema për Begajn: Ish-ushtaraku nacionalist u shqetësua nga
Bajram Begaj

GREQI- Mediat greke i kanë kushtuar një artikull vizitës së Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj në zonat minoritare greke. Protothema shkruan se Begaj nuk është i gatshëm të pranojë të drejtat e minoritarëve dhe se madje ka kërkuar që flamuri grek të ulej me mbërritjen e tij. Në artikull theksohet se Begaj nuk ka nderuar monumentin për katër të rinjtë e shpallur “Dëshmorë të Demokracisë”, gjë që ka bërë që shumë banorë të zonës të bojkotojnë pritjen e kreut të Shtetit. Edhe kryebashkiaku Kristo Kiço ka anuluar pritjen që i kishte përgatitur për takimin me intelektualë. Protothema e konsideron Begajn, një ish-ushtarak me logjikë nacionaliste.

Artikulli:

Një provokim ekstrem i presidentit shqiptar, Bajram Begaj, në prag të vizitës së kryeministrit grek në rajonet minoritare, ka ndodhur sot në komunën minoritare Finiq. Sipas programit të vizitës, Begaj fillimisht do të vizitonte Bashkinë e Finiqit, ku do të pritej zyrtarisht nga kryebashkiaku Kristo Kiço. Megjithatë, ai nuk u ndal në bashkinë, pasi mësohet se presidenti shqiptar është shqetësuar nga flamuri grek që është i vendosur në oborr, pranë flamujve të Shqipërisë dhe BE-së.

Duhet theksuar se komuna e Finiqit njihet zyrtarisht si “rajon minoriteti” nga autoritetet shqiptare si dhe ndërkombëtarisht, me të drejtën e grekëve atje të shfaqin lirisht simbolet e tyre kombëtare, të përdorin gjuhën greke në administratë, etj. .

Provokimet vazhduan në sheshin qendror të fshatit Aliko, ku ndodhet një monument për anëtarët grekë të minoritetit Massios, Raftis, Kotsis dhe Mitros, të cilët u vranë gjakftohtë nga ushtarët shqiptarë në dhjetor 1990, kur tentuan të arratiseshin për në Greqi. Në përpjekje për të frikësuar dhe terrorizuar minoritetin grek, trupat e tyre u lidhën pas makinave dhe u tërhoqën zvarrë në të gjitha fshatrat greke të rajonit. Me Dekret Presidencial të vitit 1994, Shqipëria i quajti katër të rinjtë “Dëshmorë të Demokracisë”.

Por, sakrifica e tyre, kujtimi dhe origjina e tyre kombëtare nuk u respektuan nga presidenti shqiptar, miqtë e të cilit kërkuan nga policia që pranë monumentit të mos kishte flamur grek, siç ishte.

Ky veprim zemëroi banorët dhe nxënësit e shkollës, të cilët ishin mbledhur në sheshin e fshatit për të pritur presidentin e Shqipërisë dhe u larguan duke protestuar për fyerjen. Pas këtij zhvillimi, kryebashkiaku Kristo Kiço anuloi ceremoninë dhe nuk pati asnjë vendosje kurore nga Begaj në monumentin e katër grekëve.

Siç komentojnë zyrtarë të minoritetit grek, presidenti shqiptar nuk duket i gatshëm të pranojë se në bashkitë minoritare - në bazë të ligjit përkatës - flamuri grek duhet të valëvitet jashtë ndërtesave publike. Ata theksojnë se Bairam Begaj “duhet të funksionojë si faktor institucional unifikues dhe jo si një ish-ushtarak me logjikë nacionaliste”.

Ngjarja u komentua nga ish-presidenti i organizatës së minoritetit grek, Omonia, Leonidas Pappas, i cili pas veprimit provokues të presidentit shqiptar, nuk pranoi të ulet në drekën e Begajt me “intelektualë” -sipas njoftimit- të minoritetit grek.

bajram begaj

Sondazh

Poll