Politike

Vizita e Mitsotakis në Shqipëri, Vangjel Dule: Mesazh i fortë. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar në nivel kaq të lartë

Vangjel Dule tha se përveçse një ditë historike, ky ishte një “mesazh i fortë bashkëpunimi” mes dy vendeve.

22 Dhjetor 2022, 21:53 Nga k.m.

 

Vizita e Mitsotakis në Shqipëri, Vangjel Dule: Mesazh i fortë.
Vangjel Dule
 

TIRANË- Në një lidhje Skype me emisionin “Opinion” në Tv Klan, deputeti i Partisë  Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule komentoi rëndësinë e vizitës  së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në jug të vendit. Vangjel Dule tha se përveçse një ditë historike, ky ishte një “mesazh i fortë bashkëpunimi” mes dy vendeve. E veçanta e kësaj here sipas Dules, është amplifikimi i tij sepse nuk është shprehur ndonjëherë me nivel kaq të lartë e vendosmëri.

Vangjel Dule: Ishte një mesazh i fortë, më i  fortë se çdo herë tjetër i bashkëpunimit midis dy vendeve. Ishte një mesazh i fqinjësisë së mirë, i një mbështetjeje dinamike në rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Natyrisht kjo mbështetje nuk ka munguar, por asnjëherë unë nuk e kam dëgjuar të shprehet në nivel kaq të lartë, me kaq vendosmëri dhe në prani të një interesimi të jashtëzakonshëm, si në nivel lokal ashtu edhe më gjerë. Së treti, ishte një mesazh rajonal.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim rajonal?

Vangjel Dule: Duke u shprehur fuqimisht për marrëdhëniet midis dy vendeve në kuadrin e BE dhe në kuadrin e NATO-s, ishte një shprehje për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon. Nuk është një gjë e panjohur se struktura aktuale dhe ajo e së ardhmes e arkitekturës së sigurisë mbështetet fuqimisht nga faktori amerikan në Greqi dhe shtrëngimi gjithmonë e më i madh Shqipëri-Greqi i shndërron të dy në shtylla të kësaj arkitekture sigurie dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm me zhvillimet në Ukrainë dhe me agresionin rus në të që kjo përfiton një rëndësi edhe më të madhe gjeostrategjike./tvklan.al

vangjel dule

Sondazh

Poll