Bota

Bllokohen rrugët në Veriun e Kosovës, paraprakisht nuk ka persona të lënduar

EULEX-i tha se "një bombe tronditëse u hodh kundër një patrulle të këtij misioni” por pa dëme në njerëz.

11 Dhjetor 2022, 12:31 Nga a.l
Bllokohen rrugët në Veriun e Kosovës, paraprakisht nuk ka persona
Kosovë

KOSOVË- Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) raportuan të dielën për incidente në veriun e vendit ku rrugët kryesore po mbahen të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë.

EULEX-i tha se "një bombe tronditëse u hodh kundër një patrulle të këtij misioni” por pa dëme në njerëz.

Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve të policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë ato kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it, në të cilin nënvizohet gatishmëria për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve.

U bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përgjegjës të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t'i sjellin përpara drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Sulmi u dënua edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Shtetet e Bashkuara i bashkohen EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari para sistemit të drejtësisë në Kosovë”, shkroi ambasadori Hovenier.

Policia e Kosovës raportoi për disa sulme ndaj pjesëtarëve të saj gjatë së shtunës por pa dëme në njerëz.

Grupe serbësh bllokuan rrugët pas njoftimit për arrestimin e një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shpalli të shtunën shtyrjen e zgjedhjeve për në muajin prill të vitit të ardhshëm për shkak të situatës së sigurisë në veri.

Zgjedhjet u shpallën pasi përfaqësuesit serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të muajit nëntor duke kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për të ndaluar përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Policët, prokurorët e gjykatësit serbë gjithashtu braktisën vendet e punës.

Beogradi tha se do të kërkojë nga NATO-ja kthimin e një numri të personelit ushtarak dhe policor serbë në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndonëse pranoi që nuk beson se kjo kërkesë mund të plotësohet.

“Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke nënvizuar ndërkaq se “çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe SHBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”./VOA

tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll