Aktualitet

I dënuar për vrasjen e Klodian Rashës, Nevaldo Hajdaraj ankimon vendimin në Gjykatën e Lartë

Mësohet se përmes avokatëve mbrojtës, Hajdari kërkon që të gjykohet kushtet e tejkalimit të kritereve të mbrojtjes dhe jo si vrasje me dashje.

9 Dhjetor 2022, 13:39 Nga I.A
I dënuar për vrasjen e Klodian Rashës, Nevaldo Hajdaraj ankimon
Nevaldo Hajdari dhe Klodian Rasha

TIRANË- Punonjësi i Policisë së Shtetit, Nevaldo Hajdari, i cili dy vitë më parë vrau Klodian Rashën ka çuar çështjen penale kundër tij në Gjykatën e Lartë. Mësohet se përmes avokatëve mbrojtës, Hajdari kërkon që të gjykohet kushtet e tejkalimit të kritereve të mbrojtjes dhe jo si vrasje me dashje. Hajdaraj refuzoi që në fillim që ta kishte kryer krimin e rëndë me dashje.

Si ndodhi vrasja

Rashës, të riut nga Puka, djalit më të vogël të familjes, iu mor jeta në lule të rinisë teksa po kthehej në shtëpi. Ai po ecte në rrugën “Dritan Hoxha”, në momentin që u pikas nga efektivi Hajdaraj, i cili po patrullonte me kolegun e tij nga Zogu i Zi në drejtim të sheshit “Shqiponja”. Mëkati i vetëm i Rashës ishte shkelja e orës policore dhe kjo rezultoi fatale për të. Efektivët i thirrën, por Rasha nuk ndaloi dhe Hajdaraj e ndoqi nga pas. Kamerat e sigurisë që u publikuan më vonë treguan Hajdarin që ndjek nga pas Rashën, i cili u fut në rrugicën që lidh zonën e Laprakës me rrugën ‘Dritan Hoxha’.

Në orën 02:02, Hajdaraj del krah Klodianit duke i drejtuar pistoletën e shërbimit. Pas tentativës për ta kapur efektivi Nevaldo Hajdaraj rrëzohet në trotuar, kurse Klodiani vijon të vrapojë me shpinë nga efektivi. Dhe pikërisht në këtë moment, Hajdaraj ngre dorën dhe e qëllon Klodian Rashën me pistoletën e shërbimit pas shpine. Pas Hajdarajt, në vendin e ngjarjes, mbërriti dhe kolegu i tij, por Rasha ishte tashmë i plagosur. Policët njoftojnë ambulancën, por hemorragjia dhe vendi ku ishte qëlluar bënë që 25-vjeçari, origjinë nga Puka të mos mbijetonte. Ai ndërroi jetë, ndërsa ambulanca u nis drejt Spitalit të Traumës në orën 02:10 minuta e 40 sekonda. Klodian Rasha kishte mbërritur i pajetë në spital. 

Nevaldo Hajdaraj u dënua me 18 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të kryejë 12 vite burg. Prokuroria kërkoi dënim me 20 vite burg dhe heqje të gjykimit të shkurtuar, por Apeli vendosi të rrëzonte kërkesën e mbrojtjes për heqje të akuzës për “vrasje me dashje” për shkak se u vetëmbrojt, duke u shprehur se Klodian Rasha nuk kishte armë me vete dhe nuk përbënte rrezik për jetën e efektivit Hajdaraj.

nevaldo hajdari klodian rasha

Sondazh

Poll