Bota

Efektivi në Kosovë mori një plumb në krah, xhamat e thyer i ranë në kokë, dalin detaje nga sulmi, autorët ishin me maska e “Audi”

Fiks në kohën kur ndodhi sulmi, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla., po jepte një intervistë për Radiotelevizionin publik të Kosovës, duke treguar se gjendja në Veri është e qetë.

9 Dhjetor 2022, 09:21 Nga F.M
Efektivi në Kosovë mori një plumb në krah, xhamat e thyer i
Policia e Kosovës

KOSOVË- Një efektiv policie ndodhet në spital duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore pasi mbeti i plagosur pak para mesnatës në Veri të Kosovës.

Por si ndodhi sulmi?

Ishte ora 23:00, vetëm 60 minuta para mesnate, ku një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit dhe u sulmua nga një grup personash të armatosur e me maska. Vetura u dëmtua shumë dhe një polic u plagos. Polici i plagosur është pjesë e grupit të Njësisë për Reagimin e Shpejtë. Ai ka marrë një plumb në krah, ndërsa xhamat e thyer nga breshëria e plumbave i kanë rënë në kokë efektivit, duke i shkaktuar plagë, kryesisht në pjesën e veshëve.

Ajo që dihet për autorët është se lëviznin me një automjet i tipit AUDI, ngjyrë hiri, me targa “KM”.

Ata ishin me maska e janë parë të lëvizin edhe në vende të tjera duke vëzhguar, si te “Lagjja e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut. Fiks në kohën kur ndodhi sulmi, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla., po jepte një intervistë për Radiotelevizionin publik të Kosovës, duke treguar se gjendja në Veri është e qetë.

“Momentalisht ne kemi një situatë relativisht të qetë”, deklaroi ministri, duke shtuar se “nuk ka nevojë asnjë qytetarë të brengoset”.

Kjo nuk është hera e parë që është sulmuar një patrullë e policisë që nga koha kur janë rritur tensionet, fillimisht për shkak të zbatimit të vendimit për targat, por është hera e parë që është plagosur një pjesëtar i forcave të rendit. Deri më tani ka pasur të shtëna me armë, hedhje të bombave e vënie flake të veturave të banorëve serbë, por asnjë të arrestuar.

Arsyeja përse Policia e Kosovës shtoi prezencën në Veri, siç e ka shpjeguar edhe vetë Sveçla, ishte pasiguria e qytetarëve të Kosovës në atë zonë prejse janë rritur tensionet, por edhe për të konsoliduar radhët pas momentit kur një grup me maska e i armatosur zmbrapsi policët bashkë me zyrtarët zgjedhorë komunalë, që tentuan të futeshin në zyrat e tyre dhe të punojnë.

Lista Serbe, si fuqia politike më e madhe nga komuniteti serb, doli nga institucionet me kërkesën që të anulohet vendimi. Qeveria, pas thirrjeve nga aleatët ndërkombëtarë, pranoi ta shtyjë vendimin, me shpresë se i hap rrugë bisedimeve për zgjidhje përfundimtare,  por serbët nuk u kthyen më në institucione. Tani pritet që të zhvillohen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Por, sërish po kërkohet shtyrje e vendimit, sidomos nga SHBA-të, pasi ata konstatojnë se nuk ka kushte për zgjedhje të lira.

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll