Bota

Rritet prania e efektivëve në veri të Kosovës, Sveçla: E domosdoshme! Qytetarë, ruani qetësinë...

Po ashtu, ai theksoi se kërkoi nga të gjithë qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës.

8 Dhjetor 2022, 23:13 Nga k.m.
Rritet prania e efektivëve në veri të Kosovës,
Xhelal Sveçla

PRISHTINË-  Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas vendimit të Policisë së Kosovës për ta rritur praninë në Veri të Mitrovicës.  Ai ka thënë se rritja e prezencës është bërë me qëllim të ofrimit të sigurisë, e cila është vlerësuar e domosdoshme.

“Ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme,”- ka shkruar Sveçla në rrjetet e tij sociale. Po ashtu, ai theksoi se kërkoi nga të gjithë qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës.

“Sipas njoftimit tashmë zyrtar të Policisë së Kosovës, sot është shtuar prezenca e policisë së rendit në veri të vendit. Lusim të gjithë qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës të cilët janë duke u angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”, ka shkruar Sveçla.

Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar më 6 dhjetor pasi disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje, dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri. Për incidente të tilla është raportuar në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Një ditë më vonë, në Mitrovicë të Veriut është raportuar për dy shpërthime me shok bomba.

xhelal sveçla

Sondazh

Poll