Bota

Zgjedhjet në veri, Osmani: Vendimi do të merret në dy ose tri ditët e ardhshme

Këto deklarata Osmani i ka bërë në Prishtinë pas manifestimit në kuadër të 16-ditëshit të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.

8 Dhjetor 2022, 16:04 Nga I.A
Zgjedhjet në veri, Osmani: Vendimi do të merret në dy ose tri
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit, do të merret në dy ose tri ditët në vijim. Telegrafi shkruan se lidhur me situatën e krijuar në veri, Osmani ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një takim me disa nga institucionet e sigurisë. Këto deklarata Osmani i ka bërë në Prishtinë pas manifestimit në kuadër të 16-ditëshit të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.

“Kam kërkuar raport në baza ditore. Sot kam takim me disa institucione të sigurisë, të cilat përafërsisht çdo orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Tani janë duke më pritur në zyrë dhe është një ndër takimet e shumta qe do ta kem lidhur me situatën”, tha Osmani.

Ajo ka shpjeguar edhe mënyrën sesi mund të vijë deri te shtyrja e zgjedhjeve, duke përmendur opinionin e Komisionit të Venecias.

“Këto janë vlerësime që bëhen nga institucionet e sigurisë dhe në momentin që do ta marrë raportin e plotë do ta kemi një pasqyrë më të qartë rreth çështjes së zgjedhjeve në veri. Si rregull ekzistojnë kritere të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në këtë rast duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë, të trajtohet në KQZ e më pastaj propozimi i KQZ-së vije në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër të konsultojë partitë politike. Besoj që në dy tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, tha Osmani.

Zgjedhjet në katër komunat e banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan - janë planifikuar të mbahen më 18 dhjetor. Ato u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t'i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna i kundërshton këto zgjedhje. Udhëheqësit e Kosovës i dënuan incidentet e së martës, ndërsa kryeministri Albin Kurti paralajmëroi shtim të forcave në veri.

tensione në veri të kosovës vjosa osmani

Sondazh

Poll