Aktualitet

Mori 131 mijë euro ryshfet për të favorizuar kompaninë italiane, arrestohet ish-drejtoresha e kabinetit pranë OSHEE

Ferraj akuzohet për favorizimin e një kompanie italiane në një tender në vitin 2016.

8 Dhjetor 2022, 15:35 Nga A.B
Mori 131 mijë euro ryshfet për të favorizuar kompaninë
Albana Ferraj

TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave të ndryshme penale, midis tyre një grua për korrupsion dhe ryshfet në vlerën 131 mijë euro. Sipas policisë 48-vjeçarja, Albana Ferraj akuzohet për favorizimin e një kompanie italiane në një tender në vitin 2016. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë, Ferraj “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ferraj, rezulton të jetë ish-drejtoreshë e kabinetit pranë OSHEE. Ajo akuzohet për favorizimin e kompanisë italiane për të marrë tenderin në vitin 2016. Aso kohe, përdori kompaninë e saj për të përfituar ryshfetin 132 mijë euro në tenderin e dhënë nga OSHEE. Ferraj krijoi një marrëdhënie fiktive midis saj dhe kompanisë italiane duke përdorur një shoqëri të tretë me seli në Shqipëri për të  fshehur natyrën e kundraligjshme të këtyre parave që përfitoi përmes korrupsionit pasiv me kompaninë  "Com Metodi" s.p.a. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, kanë hartuar një plan masash në kuadër të të cilit janë zhvilluar kontrolle të befasishme në ambiente të ndryshme që mund të frekuentohen nga persona të shpallur në kërkim, me qëllim kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara janë kapur 3 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2. kanë kapur shtetasit:

– A. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. 48-vjeçarja dyshohet se ka marrë shumën 131 mijë euro si rryshfet, për të favorizuar një kompani italiane, për një tender të zhvilluar në vitin 2016; – R. Z., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi është dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3. kanë kapur shtetasin:

– A. P., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”. Materialet i kaluan Prokurisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

albana ferraj

Sondazh

Poll