Bota

Detaje nga takimi Kurti-Lajçak, zyra e kryeministrisë: U fol për vijimin e dialogut Kosovë-Serbi

Qeveria e Kosovës njoftoi se tema kryesore ishin mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut me Serbinë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë e çështje tjera aktuale.

6 Dhjetor 2022, 15:10 Nga d.a.
Detaje nga takimi Kurti-Lajçak, zyra e kryeministrisë: U fol
Lajcak dhe Kurti

KOSOVË- Zyra për shtyp e qeverisë së Kosovës ka dhënë detaje pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Qeveria e Kosovës njoftoi se tema kryesore ishin mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut me Serbinë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë e çështje tjera aktuale.

“Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në dialog, ndërsa ritheksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej në deklaratë thuhet se Kurti informoi Lajçakun se Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria është e vendosur për sundimin e ligjit dhe e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka udhëtuar sot drejt Prishtinës ku ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti. Ky takim vjen 24 orë pasi ai zhvilloi një vizitë në Beograd ku dhe pati bisedime me presidentit Aleksandër Vuçiç. Në qendër të të dy takimeve ishte vijimi i dialogut Kosovë-Serbi si dhe detaje në lidhje me një marrëveshje mes palëve duke ulur tensionet e ditëve të fundit pas çështjes së riregjistrimit të targave dhe tërheqjes së zyrtarëve serb nga institucionet e disa komunave në veri të Kosovës.

dialogu kosove-serbi takimi lajcak-kurti

Sondazh

Poll