Aktualitet

Transport emigrantësh të paligjshëm kundrejt pagesës, shpallet në kërkim 24-vjeçari në Pogradec 

Mësohet se i riu me iniciale R.S me mjetin e tij 'Volvo', nuk i është ndalur kontrollit të policisë, por ka vazhduar rrugën me shpejtësi.

1 Dhjetor 2022, 15:35 Nga I.A
Transport emigrantësh të paligjshëm kundrejt pagesës,
Policia

POGRADEC- Një 24-vjeçar është shpallur në kërkim sot në Pogradec për transport emigrantësh të paligjshëm. Mësohet se i riu me iniciale R.S me mjetin e tij 'Volvo', nuk i është ndalur kontrollit të policisë, por ka vazhduar rrugën me shpejtësi. Më pas ai e ka braktisur makinën e tij dhe është larguar, ndërkohë që gjatë kontrollit në mjetin e tij janë gjetur 9 emigrantë. 

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni “Midnight”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të operacionit “Midnight”, të finalizuar 1 javë më parë, kanë goditur 1 tjetër rast. Si rezultat u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi: – R. S., 24 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të inteligjencës informative se një shtetas do të transportonte me një automjet tip “Volvo”, emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit, koordinuan veprimet dhe në aksin Korçë-Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit me drejtues shtetasin R. S., të cilit i bënë shenjë të ndalonte. 24-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas, duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e braktisur u gjetën 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës, drejtuesi i automjetit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga ana e Policisë po punohet për kapjen e shtetasit R. S. dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

policia

Sondazh

Poll