Bota

FBI e 'alarmuar' pas raporteve se 'stacione policore' të shërbimit sekret kinez janë ngritur në SHBA

Në tetor, SHBA zbuloi akuza penale kundër shtatë shtetasve kinezë të akuzuar për spiunim dhe ngacmim të një banori amerikan dhe familjes së tij, si pjesë e përpjekjeve të qeverisë kineze për të kthyer një prej tyre në Kinë.

18 Nëntor 2022, 20:02 Nga e.k
FBI e 'alarmuar' pas raporteve se 'stacione policore'
Foto Ilustruese

SHBA- FBI ndihet e shqetësuar pas raporteve se 'stacione policore' sekrete të lidhura me Kinën janë ngritur në të gjithë SHBA-në. Një raport i shtatorit i lëshuar nga OJQ-ja Safeguard Defenders zbuloi praninë e këtyre stacioneve në mbarë botën, përfshirë dhe në Nju Jork. Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, u tha ligjvënësve se agjencia po monitoronte raportet e qendrave të tilla në të gjithë vendin.

"Ne jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e këtyre stacioneve. Për mua, është skandaloze të mendosh se policia kineze do të përpiqej të hapte një 'stacion', le të themi, në Nju Jork, pa koordinimin e duhur. Kjo cenon sovranitetin dhe anashkalon proceset standarde të bashkëpunimit gjyqësor dhe ligjzbatues", tha ai.

I pyetur nëse 'stacionet' shkelnin ligjin amerikan, Wray tha se FBI-ja po shqyrtonte parametrat ligjorë. Zyrtari i lartë i inteligjencës po fliste në një seancë dëgjimore të Komitetit të Sigurisë së Brendshme dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit të SHBA, ku ai iu përgjigj pyetjeve të ligjvënësve amerikanë.

Sipas OJQ-së Safeguard Defenders me bazë në Spanjë, zyrat kineze të sigurisë publike krijuan "stacionet e shërbimit të policisë jashtë shtetit" në disa kontinente, duke përfshirë dy në Londër dhe një në Glasgoë. Në Amerikën e Veriut, ai gjeti stacione në Toronto dhe në Nju Jork.
Njësitë thuhet se u krijuan për të trajtuar krimin transnacional dhe për të ofruar shërbime administrative për shtetasit kinezë jashtë vendit, si rinovimi i patentës së shoferit jashtë vendit dhe shërbime të tjera konsullore. Megjithatë, Safeguard Defenders tha se ata gjithashtu i shërbejnë një "qëllimi më të keq", duke kontribuar në "goditjen e të gjitha llojeve të aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale që përfshijnë kinezët jashtë shtetit".

Kina ka mohuar drejtimin e 'stacioneve' jashtë shtetit.

Wray tha se Shtetet e Bashkuara kishin ngritur një sërë akuzash në lidhje me ngacmimin, ndjekjen, monitorimin dhe shantazhimin e njerëzve nga qeveria kineze në SHBA që kishin qenë kritikë ndaj presidentit kinez Xi Jinping.

“Është një problem real dhe diçka për të cilën po flasim edhe me partnerët tanë të huaj, sepse nuk jemi i vetmi vend ku kjo ka ndodhur”, tha ai.

Në tetor, SHBA zbuloi akuza penale kundër shtatë shtetasve kinezë të akuzuar për spiunim dhe ngacmim të një banori amerikan dhe familjes së tij, si pjesë e përpjekjeve të qeverisë kineze për të kthyer një prej tyre në Kinë. Muajin e kaluar, një nga "stacionet e policisë" kineze në qendër të kryeqytetit irlandez Dublin u urdhërua të mbyllej nga qeveria si rezultat i punës së Safeguard Defenders. Dhe zyrtarët e inteligjencës kanadeze kohët e fundit thanë se po hetonin akuzat se Kina kishte hapur stacione jozyrtare "policie" në tokën kanadeze.

shba kine fbi

Sondazh

Poll