Art&Argëtim

Zgjidhet DRAMA Shakira – Pique: Çifti arrin marrëveshje pas 12 orësh negociata, ish-futbollisti do i shohë fëmijët 10 ditë në muaj

Ish-çifti ka zgjidhur jashtë gjykatës çështjen e kujdestarisë së dy fëmijëve të tyre. Ja çfarë parashikon marrëveshja.

9 Nëntor 2022, 15:48 Nga k.m.
Zgjidhet DRAMA Shakira – Pique: Çifti arrin marrëveshje pas 12
Shakira dhe Gerard Pique

SPANJË- Shakira dhe Gerard Pique kanë konfirmuar se kanë nënshkruar një marrëveshje për kujdestarinë e fëmijëve që do t'i pengojë ata që t'i futen një beteje të dhimbshme ligjore. Çifti, i cili konfirmoi ndarjen e tyre në qershor, lëshoi ​​një deklaratë të martën pas një takimi maratonë 12-orësh me avokatët e tyre që përfundoi në orët e para të mëngjesit.

Pique, i cili njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli pasi ishte i ngarkuar emocionalisht, thuhet se ka dhënë pëlqimin që ish-partnerja e tij të transferohej në Miami me fëmijët e tyre Milan, 9 dhe Sasha, 7 vjeç. Kjo marrëveshje është bërë sipas mediave të huaja për të shmangur një betejë të gjatë ligjore mes tyre. Dëshira e Shakirës për t'u shpërngulur në qytetin ku jetonte ajo më parë ishte pengesa kryesore.

Pique dhe Shakira thanë në deklaratën e tyre të përbashkët: Duam të bëjmë të ditur se kemi nënshkruar një marrëveshje që garanton mirëqenien e fëmijëve tanë dhe e cila do të ratifikohet në gjykatë si pjesë e një procesi thjesht formal. Qëllimi ynë i vetëm është t'u ofrojmë atyre sigurinë dhe mbrojtjen maksimale, dhe ne besojmë se privatësia e tyre do të respektohet. Ne vlerësojmë shqetësimin e treguar dhe shpresojmë që fëmijët të mund të vazhdojnë jetën e tyre me privatësinë e nevojshme në një mjedis të sigurt dhe të qetë.

Shtypi spanjoll raportoi gjithashtu se Pique do të jetë në gjendje të kalojë dhjetë ditë në muaj me fëmijët e tij si pjesë e marrëveshjes me Shakirën, e po ashtu dhe pushimet.

Gazeta katalanase “El Periodico” në publikimin e saj, ka thënë konkretisht: Gerard Pique do të ketë fëmijët e tij 10 ditë në muaj dhe të tre periudhat e pushimeve, me përjashtim të pushimeve të Krishtlindjeve, duke filluar nga viti i ardhshëm. Krishtlindja e këtij viti do të alternohet 50% sipas kalendarit të qeverisë rajonale të Katalonjës dhe në vitet e ardhshme ata do ta bëjnë këtë sipas kalendarit shkollor të fëmijëve. Kjo është marrëveshja e arritur nga futbollisti dhe partnerja e tij Shakira për kujdestarinë e fëmijëve të tyre. Nëse, siç pritej, Sasha dhe Milani fillojnë shkollën në SHBA në vitin e ri, Pique do të duhet të jetojë mes Majamit dhe Barcelonës nëse dëshiron të shijojë 10 ditët me fëmijët e tij çdo muaj.

Samiti që zgjati plot 12 orë

Bisedimet maratonë filluan të hënën pasdite në ish-shtëpinë e familjes së çiftit në Esplugues de Llobregat në periferi të Barcelonës. Biseda u përmbyllën në orët e para të mëngjesit të së martës, me negociatat e cilësuara si “intensive” nga gazeta autoritative katalanase El Periodico. Gazeta rivale “La Vanguardia” shkruante: Milani dhe Sasha do të shkojnë me Shakirën në Miami. Fëmijët do t'i kalojnë Krishtlindjet në Barcelonë, por sapo të fillojë viti 2023, futbollisti do të duhet të vizitojë fëmijët e tij në SHBA.

shakira gerard pique

Sondazh

Poll