Bota

KQZ jep konfirmimin, Presidentja Osmani ka kërkuar emrat që do të zëvëndësojnë deputetët e dorëhequr të Listës Serbe

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili tha se ky komision do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh.

8 Nëntor 2022, 17:08 Nga d.a.
KQZ jep konfirmimin, Presidentja Osmani ka kërkuar emrat që do të
Osmani

KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka pranuar kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për rekomandim të personave të radhës për të zëvendësuar deputetët nga radhët e Listës Srpska të cilët dhanë dorëheqjen disa ditë më parë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili tha se ky komision do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”,- tha Elezi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar gjatë ditës së sotme me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Osmani, pas pranimit të kërkesës së kryetarit të Kuvendit për zëvendësimin e deputetëve serbë të dorëhequr, ka kërkuar nga KQZ-ja rekomandimin e emrave për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe.

Zyra e Presidentes ka pranuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe. Pas pranimit të kërkesës, Presidentja i është drejtuar KQZ-së për të pranuar rekomandimet e emrave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr”, tha këshilltari i saj Besim Kupina.

Ditën e djeshme Lista Srpska ka dorëzuar mandatet e saj në Kuvendin e Kosovës pas vendimit për targat. Serbët janë larguar edhe nga komunat që udhëheqin, policia, gjykatat e prokuroritë. Ata nuk pranojnë të rikthehen në detyrë nëse nuk plotësohen dy kërkesa, e para që të anulohet vendimi për targat dhe e dyta që të formohet Asosacioni i Komunave me shumicë serbe.

tensione në veri të kosovës vjosa osmani

Sondazh

Poll