Aktualitet

KPA konfirmon në detyrë gjyqtarin Niko Rapi

Vendimi është marrë sot, duke ndryshuar atë të KPK-së, i cili mban datën 27 nëntor, 2 vite më parë, duke e rifutur në sistem gjyqtarin pranë Gjykatës së Tiranës. 

8 Nëntor 2022, 16:04 Nga k.m.
KPA konfirmon në detyrë gjyqtarin Niko Rapi
Niko Rapi

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Tiranës Niko Rapi pasi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi është marrë sot, duke ndryshuar atë të KPK-së, i cili mban datën 27 nëntor, 2 vite më parë, duke e rifutur në sistem gjyqtarin pranë Gjykatës së Tiranës. 

Rastet e dyshuara të konfliktit të interesit në kohën kur drejtonte Gjykatën e Pogradecit i kushtuan karrierën gjyqtarit Niko Rapi, pasi KPK ngriti dyshime lidhur me një konflikt interesi mes tij dhe shoqërisë “Bregu sh.p.k”. Por gjatë seancës dëgjimore, Rapi i kundërshtoi akuzat e KPK-së, duke përsëritur disa herë gjatë fjalës së tij se “nuk e kishte lejuar asnjëherë veten të kishte qenë në kushtet e konfliktit të interesit, as si gjyqtar dhe as si drejtues.".

Po ashtu, gjatë seancës në KPK në 2020, problem ishte dhe udhëtimi jashtë shtetit me një avokat, palë në procese gjyqësore të shqyrtuara nga Rapi si dhe një udhëtim tjetër në Gjermani për të parë një ndeshje futbolli.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 54/2020, datë 27.11.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Niko Rapi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 277, datë 21.07.2020.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

1. Ndryshimin e vendimit nr. 277, datë 21.07.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e subjektit të rivlerësimit Niko Rapi në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 08.11.2022.

Niko Rapi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Pogradecit. Ai u transferua në Gjykatën e Tiranës në vitin 2016, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

niko rapi shkarkohet niko rapi

Sondazh

Poll