Bota

Tensionet në veri të Kosovës, Stoltenberg telefonon Kurtin dhe Vuçiçin: U kërkova të përmbahet nga veprimet e njëanshme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.

7 Nëntor 2022, 18:36 Nga d.a.
Tensionet në veri të Kosovës, Stoltenberg telefonon Kurtin dhe
Stoltenberg

SHBA- Sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq për “situatën e tensionuar në veri të Kosovës”.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Ai tha se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilent për situatën atje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë e kanë akuzuar Serbinë se është duke bërë presion mbi serbët e Kosovës për t’u larguar nga institucionet.

Në anën tjetër, Vuçiq ka thënë se supozimet që serbët po veprojnë me urdhër të Beogradit, “janë të pakuptimta”. Vuçiq ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë aplikuar “opsionin më të keq të mundshëm” kur është fjala për targat./REL/

jens stoltenberg albin kurti aleksander vucic

Sondazh

Poll