Bota

Përfundon takimi me liderët e partive politike, Kovaçevski: Nuk morëm asnjë vendim

Kryeministri informoi se konkluzionet e tij kanë të bëjnë me faktin se partitë politike që janë pjesë e Kuvendit të pajtohen rreth asaj se procesi evropian në përputhje me përcaktimin strategjik për anëtarësim në BE është një proces mbipartiak dhe gjithëpërfshirës

7 Nëntor 2022, 18:00 Nga d.a.
Përfundon takimi me liderët e partive politike, Kovaçevski: Nuk
Kovacevski

MAQEDONIA E VERIUT- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski pas takimit të sotëm me liderët e partive politike parlamentare në Kuvend theksoi se nuk janë arritur konkluzione të përbashkëta.

Kryeministri informoi se konkluzionet e tij kanë të bëjnë me faktin se partitë politike që janë pjesë e Kuvendit të pajtohen rreth asaj se procesi evropian në përputhje me përcaktimin strategjik për anëtarësim në BE është një proces mbipartiak dhe gjithëpërfshirës.

“Duke pasur parasysh interesin nacional për anëtarësim në BE, të gjitha palët e interesuara në Kuvend duhet që ta mbështesin plotësisht këtë proces.  Partitë politike të marrin pjesë në mbështetjen dhe zbatimin e reformave”, deklaroi Kovaçevski.  Sipas tij, në kuadër të këtij procesi respektohet  gjuha, identiteti, veçoritë kulturore dhe historike të popullit maqedonas si dhe Kuvendi do të jetë i informuar dhe koordinuar rregullisht. Këto janë ende konkluzione që unë i them në emrin tim. Këto nuk ishin konkluzionet që i miratuan të gjithë liderët e partive politike”, deklaroi Kovaçevski, ndërsa i pyetur nga gazetarët se nuk kanë konkluzione të përbashkëta, shkurt u përgjigj “Jo”.

Ai gjithashtu tha se debati ka qenë i hapur dhe mendon se duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në takim, siç ka treguar ai, të gjithë liderët politikë kanë shprehur qëndrimet e tyre, disa prej të cilave janë të njohura për opinionin, ndër të tjera edhe për ndryshimet në Kushtetutë.

“Sot në mbledhje nuk janë marrë vendime në bazë të të cilave mund të themi se është miratuar diçka e propozuar. Megjithatë, përfitimi më i madh është se të gjithë u ulëm në një tavolinë dhe mundëm të shkëmbejmë mendimet dhe pikëpamjet e çdo lideri politik në lidhje me rrugën evropiane të vendit tonë”, tha kryeministri.

Në takim, siç bëri me dije kryeministri, u diskutua për synimet dhe prioritetet strategjike të shtetit, si dhe për hapat dhe vendimet e ardhshme në periudhën e ardhshme që kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane të vendit, ndërsa i njohu ato me situatën në lidhje me krizën energjetike dhe masat që po ndërmerren, si dhe për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ligjet e bllokuara në Kuvend. Ai tha se vendi përballet me sfida të shumta dhe theksoi nevojën për funksionim normal të Kuvendit, në të cilin duhet të kontribuojnë të gjitha palët. (INA)

dimitar kovaçevski ndryshimet kushtetuese ne maqedoni

Sondazh

Poll