Bota

Shkarkimi i drejtorit të Policisë/ Rakiç: Të shtunën do propozoj largimin e të gjithë zyrtarëve nga institucionet në Veri

Ai ka thirrur në një takim urgjent të shtunën të gjithë përfaqësuesit e institucioneve në Veri të Kosovës ku do të propozojë që të gjithë zyrtarët serb të largohen nga institucionet duke përfshirë dhe atë vetë.

3 Nëntor 2022, 17:53 Nga e.k
Shkarkimi i drejtorit të Policisë/ Rakiç: Të shtunën
Goran Rakiç

KOSOVË- Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç ka reaguar ashpër pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të Policisë në Veri Nenad Gjuriç. Ai ka thirrur në një takim urgjent të shtunën të gjithë përfaqësuesit e institucioneve në Veri të Kosovës ku do të propozojë që të gjithë zyrtarët serb të largohen nga institucionet duke përfshirë dhe atë vetë.

“Duke pasë parasysh vendimin e fundit të turpshëm, të paligjshëm dhe antiserb të Prishtinës, me të cilin është suspenduar drejtori i Drejtorisë Rajonale në Veri, z. Nenad Gjuriç, për shkak se ka refuzuar të paralajmërojë bashkëqytetarët e tij se kanë targa legale KM, vendim që dje u mirëprit nga kryesia e Listës Serbe dhe të gjithë kryetarët e komunave nga veriu dhe e përkrahën. Dua të njoftoj opinionin se për të shtunën kam caktuar një takim urgjent të të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë ku do t’u propozoj që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke filluar nga unë personalisht, por edhe nga vetëqeverisja lokale, nga prokuroria, nga gjykata, nga policia dhe nga të gjitha autoritetet tjera”, tha Rakiç një deklaratë për mediat.

Ai shtoi se serbët që nuk pranojnë të jenë një "dekor" i Prishtinës duhen përshëndetur pasi janë krenarë.

Shkarkimi i drejtorit të Policisë në Veri të Kosovës Nenad Gjuriç vjen pas refuzimit të këtij të fundit për të vendosur letra qortuese ndaj shoferëve që nuk zbatojnë vendimin e qeverisë për targat. Ditën e djeshme ai u paralajmërua me shkarkim nga Policia e Kosovës ndërkohë ditën e sotme u mor dhe vendimi për shkakrimin e tij. Marrëveshja për reciprocitetin e targave është shoqëruar me tensione të shumta në Veri duke bërë që Policia e Kosovës të jetë në gatishmëri dhe të marra masa shtesë për rendin dhe sigurinë. Gjithashtu dhe trupat e KFOR kanë bërë me dije se po monitorojnë situatën dhe janë në gatishmëri për të vepruar në rast se rrezikohet stabilitetit. Mes Kosovës dhe Serbisë kanë nisur akuzat e ndërsjellta ndërkohë që ushtria serbe është vënë në "alarm të kuq" për çdo rast. 

shkarkohet nenad gjuric goran rakiç

Sondazh

Poll