Bota

Tragjedia në Seul; zi dhe pyetje pa përgjigje për qindra të vdekurit

Koreja e Jugut, e tronditur nga vdekja e dhjetëra të rinjve në Halloween, po kërkon përgjigje se çfarë e shkaktoi dhe si mund të shmanget në të ardhmen.

30 Tetor 2022, 21:23 Nga k.m.
Tragjedia në Seul; zi dhe pyetje pa përgjigje për qindra të
Pamje nga Korea e Jugut

SEUL- Një tragjedi që mund të ishte shmangur po trondit Korenë e Jugut. Të paktën 154 njerëz-numër ky ende i pasaktësuar (98 gra dhe 56 burra) u shkelën për vdekje dhe 133 të tjerë u plagosën (disa shumë rëndë) kur një turmë e madhe u mblodh në rrugët e ngushta të një lagjeje të Seulit për të festuar Halloween. Shumica e viktimave ishin adoleshentë dhe të rinj të moshës 20-30 vjeç. Të vdekurit përfshijnë gjithashtu 22 të huaj – 4 kinezë, 4 iranianë, 3 rusë, 2 amerikanë, si dhe persona nga Uzbekistani, Franca, Kazakistani, Sri Lanka, Australia, Austria dhe Norvegjia.

Çfarë ndodhi në Itaewon?

Të rinjtë, shumë të veshur me kostume karnavalesh, kishin dalë në rrugë për të festuar Halloween-in në baret, klubet e natës dhe restorantet e lagjes së zhurmshme Itaewon, ku festat shpesh vazhdojnë në rrugët anësore të ngushta dhe të përpjeta. Tragjedia ndodhi ndërsa Itaewon, një simbol i jetës së tërbuar të natës së Seulit për dekada, filloi të lulëzonte përsëri pas dy vitesh kufizime për shkak të pandemisë.

Ishte festa e parë e Halloween në Seul në tre vjet pa praktikisht asnjë kufizim Covid-19 pasi distancimi social nuk ishte më në fuqi. Megjithatë, shumë nga argëtuesit mbanin maska ​​dhe kostume karnavalesh. Një ditë para tragjedisë kishte shenja paralajmëruese se festivali do të tërhiqte një numër të rrezikshëm e të madh njerëzish. Viktimat dhe të afërmit e tyre flasin për gabime të dukshme në kontrollin e turmës, e cila arriti deri në 100,000 njerëz.

Moon Joo-young, 21 vjeç, tha se kishte shenja të qarta telashi në rrugicë përpara incidentit. Siç shpjegoi ai për Reuters, numri i njerëzve të mbledhur ishte dhjetë herë më shumë se zakonisht. 

Momenti i tragjedisë

Nuk dihet saktësisht se çfarë e shkaktoi tragjedinë. Të shtunën pati raportime për një personazh të famshëm që po qarkullonte në zonë dhe shumë u zhvendosën për ta parë nga afër. Ky detaj ende nuk është konfirmuar dhe në asnjë rast policia ka pasur vështirësi në kontrollin e turmës. Shumë nga të vrarët ishin pranë një klubi nate. Dëshmitarët okularë përshkruanin se si turma bëhej gjithnjë e më e padisiplinuar. Dëmi është bërë para orës 22:20 (me orën lokale), ndërsa rruga ishte e mbushur me njerëz që thërrisnin dëshpërimisht për ndihmë. Qindra shpëtimtarë që mbërritën në vendngjarje po përpiqeshin në çdo mënyrë për të çliruar trupat e bllokuar dhe për t'u dhënë ndihmën e parë njerëzve që ishin shtrirë duke gulçuar në tokë. Edhe klientët e dyqaneve u përpoqën të jepnin ndihmën e parë, por pa ditur se ç'po bënin.

Një morg i improvizuar u ngrit në një ndërtesë ngjitur me skenën e tragjedisë. Sipas përshkrimit të tre ushtarëve amerikanë, ata në fund të rrugës nuk mund të shihnin se çfarë po ndodhte përpara.

"Ne po bërtisnim që ata të tërhiqeshin, por tashmë ishte vonë,"- tha ushtari. Tre amerikanët ndihen me fat që kanë mbijetuar.

"Kur u larguam, kudo kishte kufoma, kudo..."

Periudha e zisë

Presidenti i vendit, Yoon Suk-yeol shpalli zi kombëtare dhe e përshkroi lagjen popullore të Itaewon si një "zonë fatkeqësie". Ai shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave dhe u uroi të lënduarve shërim të shpejtë.

“Është vërtet tragjike”,- tha presidenti në një fjalim televiziv. Ai siguroi gjithashtu se qeveria do të hetojë plotësisht shkaqet "për të siguruar që një aksident i tillë të mos përsëritet në të ardhmen".

Ndërkohë, kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe lojërave video të Koresë së Jugut si Kakao dhe NCSOFT tërhoqën fushatat e tyre reklamuese të Halloween pas tragjedisë. Parku tematik 'Everland' ka anuluar të gjitha ngjarjet e planifikuara pr këtë temë. Shumë bashki dhe organizata kanë anuluar ose zvogëluar festivalet dhe ngjarjet e tjera që do të mbanin.

korea e jugut tragjedi ne korene e jugut

Sondazh

Poll