Bota

BE sërish thirrje: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për targat, Kosova e Serbia të përmbahen

I pyetur nga REL, Stano thotë se blloku evropian me partnerët po vazhdon intensivisht punën për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.

28 Tetor 2022, 08:28 Nga F.M
BE sërish thirrje: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje
Peter Stano

KOSOVË- Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme dhe të sigurisë u ka bërë sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të tregohen të përmbajtur me veprimet që mund të çojnë në përshkallëzimin e situatës në kufi. I pyetur nga REL, Stano thotë se blloku evropian me partnerët po vazhdon intensivisht punën për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.

“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara. Siç kemi thënë, [ato] duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës,"- tha Stano.

Stano thotë se tensionet do të ishin në kundërshtim me interesat e njerëzve dhe të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë. I pyetur nëse BE-ja është 'ppajtuar' me faktin se nuk do të ketë shtyrje të afatit për zëvendësimin e targave, Stano thotë se po vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim.

“Ato kanë shprehur si prioritet afrimin me BE-në dhe me krijimin e tensioneve, me pamundësinë për t’i zgjidhur çështjet, duke mos folur me njëra-tjetrën, duke mos pasur gatishmëri për kompromis, ju nuk i arrini këto qëllime dhe e dëmtoni popullin tuaj. Pra, mesazhi ynë është i njëjti, duhet të jemi konstruktivë dhe të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura dhe të përmbahemi nga veprimet e njëanshme që çojnë deri te përshkallëzimi. Kemi nevojë për të kundërtën, për ulje të tensioneve dhe progres. Ne nuk dorëzohemi dhe gjithmonë jemi të angazhuar në emër të njerëzve në terren. BE-ja mbetet e angazhuar dhe ky është roli i përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell dhe ai i të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Ata janë të angazhuar intensivisht në kërkim të zgjidhjes për çështje, për të cilën nuk ka pasur zgjidhje deri tash. Por, kemi akoma edhe disa ditë deri më 31 tetor. Ne po punojmë me partnerët tanë për të gjetur zgjidhje dhe për të parandaluar situatën, në të cilën do të kishim eskalim të panevojshëm të ri, apo, Zoti mos e dhëntë, shpërthim të situatës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Ç'po ndodh në Kosovë?

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë dhe Serbia paralajmëruan për vendosjen e barrikadave, nëse Kosova, pas 31 tetorit do të konfiskojë targat apo makinat e serbëve. Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët serbë që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, që Prishtina i konsideron ilegale, duhet 'i konvertojnë në RKS- Republika e Kosovës. Ndryshe, këto makina nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e shtetit, e as të kalojnë kufirin.

peter stano reciprociteti per targat

Sondazh

Poll