Bota

Von Der Leyen në Kosovë, Osmani: Po trajtohemi me standart tjetër për çështjen e vizave

Osmani falenderoi Von Der Leyen që nuk e ka lënë vetëm Kosovën dhe ka vijuar me mbështetje.

27 Tetor 2022, 10:23 Nga A.B
Von Der Leyen në Kosovë, Osmani: Po trajtohemi me standart tjetër
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja Vjosa Osmani ka falenderuar Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen për vizitën e saj në Kosovë. Në një konferencë për mediat, Osmani falenderoi Von Der Leyen që nuk e ka lënë vetëm Kosovën dhe ka vijuar me mbështetje. Mirëpo ajo u shpreh se Kosova po trajtohet me një standart tjetër për sa i përket çështjes së vizave. 

'Kosova për fat të keq sa i përket vizave vazhdon të trajtohet me një standard tjetër. Qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zemër të Evropës edhe pse kemi bërë reforma në sundimin e ligjit. Përkundër plotësimit të të gjitha kritereve, akoma nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave”, deklaroi ajo para mediave.Realiteti qëndron që shtetet anëtare të BE-së ende nuk e kanë marrë vendimin brenda Këshillit, prandaj shpresojmë që kjo padrejtësi e madhe të përfundojë pa kritere të reja teknike që do ta bllokonin vendimmarrjen politike”.

Më tej, Osmani shtoi se vizita e Von der Leyen rikonfirmon përkushtimin e Komisionit Evropian ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Është vendimtare që BE-ja të na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë në përballje me krizat me të cilat po ballafaqohemi.  Shpresojmë që nëpërmjet një bashkëpunimi të afërt do të identifikojmë mekanizmat e duhur për lehtësimin e përballjes me rritjen e çmimeve të energjisë, investime në projekte në burime të ripërtërishme të energjisë, investime në përmirësimin e infrastrukturës së energjisë dhe në masa të eficiencës së energjisë”.

Sipas saj, ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.

“E dimë që jeni plotësisht e përkushtuar për integrimin e rajonit tonë dhe mendoj se vizita juaj është dëshmi për këtë”.'- tha Osmani. 

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen po kryen një tur ballkanin. Pas përfundimit të vizitës në Kosovë, ajo do të vijë në Tiranë, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama. 

vjosa osmani ursula von der leyen

Sondazh

Poll