Bota

Ka tension! Marrëveshja për targat, ndërkombëtarët i kërkojnë shtyrje Kurtit, Vuçiç takohet me Listën Serbe

Deri më tani duket se të gjitha gjasat janë për tensione në Veri të vendit. 

26 Tetor 2022, 17:12 Nga k.m.
Ka tension! Marrëveshja për targat, ndërkombëtarët i
Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti

PRISHTINË- Data 31 tetor shënon fundin e afatit për riregjistrimin e targave të mjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë, por duket se nuk përjashtohet as shtyrja e afatit. Të paktën perëndimi po e kërkon, por duket se kryeministri Albin Kurti ende nuk e pranon. Ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, personi që artikuloi mundësinë e zgjatjes së afatit të vendosur për regjistrimin e automjeteve me targa që tashmë do të shënojnë "RKS".

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë të BE-së e shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat RKS si në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim për të në parim. Megjithatë, ne kemi kërkuar, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, një zgjatje 10-mujore të periudhës së zbatimit. Është qëllimi ynë ta shohim këtë të zbatuar në një mënyrë që të jetë paqësore dhe të mos kontribuojë në rritjen e tensioneve,"-ka bërë me dije zyra për media e Ambasadës së SHBA-së.

Më pas, pati edhe "këshilla" të tjera. Pas Hovenier, komente dha edhe zv.Ndihmës Sekretari për Shtetin për Evropën, Gabriel Escobar, i cili shkoi në Prishtinë shumë shpesh brenda pak javësh, qëllimi duket se ishte i hapur. Ai i shtyrjes së afatit për marrëveshjen e targave. E sërish nuk u ndal me kaq.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë Quintit. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”.

Pas kërkesave të herëpasherëshme të Escobarit, u pasua nga ajo e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price. Edhe ai lëshoi një kërkesë, duke u shprehur se Amerika shpresonte që palët ta zgjidhnin çështjen e targave paqësisht përgjatë ditëve në vijim, duke përmendur edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. 

“Ai ka biseduar me të dy, presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më herët gjatë këtij muaji. Ai ka nënvizuar mbështetjen tonë për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa ka bërë thirrje për angazhim përmbajtjesor në garantimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon,”- tha Price.

Përpos të gjithë të lartpërmendurve, edhe Bruskeli nuk mbeti pa folur. Mirosllav Lajçak shkoi vetë në Serbi dhe në Prishtinë për të folur me liderët e dy vendeve. Kërkoi të njëjtën gjë: Shtyrje të afatit për të mos pasur përplasje.

“E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Folëm po ashtu për shumë çështje të dobishme për progresin vendimtar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, afrimin e afatit të 31 tetorit për riregjistrimin e targave dhe zhvillimet e fundit në fushën e energjisë,”- tha shkurt Lajçak .

Ndërkohë që në Kosovë, duket se tanimë janë të vendosur se do ta çojnë deri në fund këtë marrëveshje. Presidentja Vjosa Osmani ka nisur të risjellë në retorikën e saj politike bandat e veriut të Kosovës, ndërsa Kurti thotë shkurt, se kësaj herë nuk ka më lëshime për Serbinë. 

“Ne tashmë kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor, është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori, kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviçit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale,"-tha ai. 

Por procesi i deritanishëm është "tallur" nga presidenti serb, i cili tha pak kohë më parë në një dalje publike për mediat se vetëm 9 persona kishin bërë ndryshimin e kërkuar, gjë që sipas tij shpjegonte dhe "kërkesën" e madhe për ndryshim. E po ashtu, edhe sot, do të takohet me përfaqësues të Listës Serbe në Prishtinë, ku me shumë gjasa tema e diskutimit në mbledhjen e jashtëzakonshme do të jetë pikërisht kjo marrëveshje. Deri më tani duket se të gjitha gjasat janë për tensione në Veri të vendit. 

Megjithatë data 1 nëntor është shumë pranë. Mjetet serbe të qytetarëve, por edhe ato të transportit të mallrave nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia, pasi konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë. Herën e fundit që palët u ulën për negociata, arritën marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje, por mbetet për t'u parë se çdo të ndodhë me targat.

aleksandër vuçiç albin kurti marreveshja per targat

Sondazh

Poll