Politike

VIDEO/ Bulizmi shembullor nga Rama, si e torturoi 'live' të miturin në Fier

Ajo që bëri Edi Rama nuk mund të jetë thjesht një video virale në tik tok. Nuk është një çështje private mes një të rrituri me probleme të shëndetit mendor dhe një adoleshenti harrakat. Është torturimi live që Kryeminisri i bën një të mituri në publik, me gjakftohtësi dhe ndërgjegje të plotë, është demonstrimi i sjelljes së një diktatori frikacak ndaj një njeriu të pambrojtur.

23 Tetor 2022, 17:50 Nga e.a.
VIDEO/ Bulizmi shembullor nga Rama, si e torturoi 'live' të
Edi Rama në Fier

Një video e Kryeministrit Edi Rama në Fier është vërë virale në rrjet. Sugjerohet për të qeshur, por, kur përfundon, të bën për të qarë. Kryeministri është duke folur përpara të rinjve në Fier. Një adoleshent, ndërsa duartroket për hir të drejtuesve të shkollës që e kanë sjellë aty, qesh për të nxjerrë turpin.

Edi Rama, nën paranojën që i është rritur nga sondazhet e fundit, vendos ta demaskojë adoleshentin që po e tregon hapur se ndodhet aty kundër dëshirës. Ndërpret fjalën dhe e thërret t'i shkojë afër. Djali heziton, turpërohet. Adoleshenti, i kalur gafil, dëshiron të mos identifikohet, por regjia e Kryeministrisë, që paguhet nga taksat e prindërve të tij, e indentifikon dhe e fokuson, pavarësisht se është thjesht një i mitur, i urdhëruar për të qenë aty, që e tregon hapur se nuk do të identifikohet. Punonjësi i Kryeministrisë i shkon afër për ta bindur ose urdhëruar, ndërsa Kryeministri vazhdon ta thërrasë me ton urdhërues për ta ekspozuar si keqbërës.

Adoleshenti, nën presionin e Kryeministrit përballë, punonjësit të tij mbrapa dhe kamerave nga të gjitha anët, kupton që nuk mund të shpëtojë, çohet drejt gijotinës morale që njeriu që duhet t'i shërbejë ka përgatitur për të. Përballë gjithë gjimnazistëve të Fierit, të sjellë forcërisht aty, Kryeministri fillon investigimin, si një prokuror që ka kapur një shkelës ligji. Në fakt ngjan më shumë me hetuesit e Ministrisë së Brendshme që diskretitonin armiqtë e klasës nën diktaturë. Qëllimi ishte që adoleshenti që shprehu mospëlqim për Kryeministrin të dalë si nxënës që nuk mëson. Pas insistimit të gjatë, ia doli. Djali ishte poshtë mesatares me nota. Kryeministri e përcjell me një paralajmërim frikësues. Djali largohet dhe nuk di ku të shohë, nuk ka asnjë plan pas këtij asgjësimi të imazhit që ia bëri lideri i madh. Të largohet ka frikë se mund të shkojë më keq për të, të rrijë i vjen turp. Zvarrit këmbët derisa ulja në vend i duket si strukje në një vend të fshehtë. Nuk dëgjon çfarë i thonë bashkëmoshatarët, mundohet të fshehë fytyrën e skuqur, kupton që tashmë është bulizuar jo vetëm në shkollën e tij, jo vetëm në qytetin e tij, por kudo ku ka shqiptarë.

Një bulizim shembullor, që gjithë bulistët do ta kishin zili, një demantim që do të lërë shenjë në jetën e tij.


Ndërsa bulizuesi i tij, vazhdoi krenar fjalën, pasi fëmijët e tjerë e kuptuan se ç'do ju ndodhte nëse nuk tregojnë respekt. Për të ajo nuk është një ngjarje e veçantë, nuk shenjon as ditën e tij. Vazhdon të bulizojë çdo kundërshtar në fjalën e tij, të demantojë çdo figurë që nuk i pëlqen, pa e vrarë mendjen për krimin ndaj një të pafajshmi, që as nuk dëshironte të ishte përballë tij.

Mund të ngjante me Kujdestarin e filmit "Lulëkuqet mbi mure" po të mos e bulizonte kombëtarisht djalin nga Fieri, mund të ngjante me Erdoganin që dhunoi fëmijën që preu shiritin e inaugurimit para kohe, nëse do të mbetej me një reagim spontan. Por ai i tejkaloi të gjitha shfaqjet reale dhe artistike të bulizmit, të torturës publike dhe nëpërkëmbjes së fëmijës, me insistimin përpara kamerave.

Ajo që bëri Edi Rama nuk mund të jetë thjesht një video virale në tik tok. Nuk është një çështje private mes një të rrituri me probleme të shëndetit mendor dhe një adoleshenti harrakat. Është torturimi live që Kryeminisri i bën një të mituri në publik, me gjakftohtësi dhe ndërgjegje të plotë, është demonstrimi i sjelljes së një diktatori frikacak ndaj një njeriu të pambrojtur. Kur është e tillë përpara kamerave, përpara syve të publikut, imagjinohet lehtë si është pa kamera dhe pa dëshmitarë.

edi rama edi rama ne fier

Sondazh

Poll