Aktualitet

Dogji të gjallë nënë e bir për 780 mijë euro, Gjykata konfirmon ekstradimin e Ledjon Brakaj në Greqi

Vendimi u mor të hënën kundër Ledjon Brakajt, 36-vjeçarit shqiptar, i cili u arrestua në Maltë në gusht, pasi u vu në shënjestër të një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga autoritetet greke.

17 Tetor 2022, 19:18 Nga d.a.
Dogji të gjallë nënë e bir për 780 mijë euro,
Ledjon Brakaj

MALTË- Një gjykatës ka konfirmuar ekstradimin e Ledjon Brakës, shqiptarit të kërkuar në Greqi për një vjedhje të dyshuar prej 780,000 eurosh dhe vrasje të dyfishtë në vitin 2015. Brakaj kërkohet të ndiqet penalisht për vrasje me dashje, vjedhje të rënduar nga dhuna dhe zjarrvënie me rrezik për humbje jete.

Sipas mediave malteze, vendimi u mor sot kundër Ledjon Brakajt, 36-vjeçarit shqiptar, i cili u arrestua në Maltë në gusht, pasi u vu në shënjestër të një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga autoritetet greke. Brakaj dyshohet se ishte përfshirë në një grabitje e cila përfundoi në vrasjen e një gruaje të moshuar dhe nipit të saj. Ata u rrahën dhunshëm dhe më pas u dogjën sa ishin gjallë, pohojnë autoritetet greke.

Gjatë procesit të ekstradimit para gjykatës së Magjistraturës, avokatët e Brakajt kishin ngritur dyshime për identitetin e të arrestuarit, duke kundërshtuar më pas edhe konkluzionet e ekspertëve të gjurmëve të gishtave. Gjykata, megjithatë, kishte miratuar ekstradimin pasi vuri në dukje se urdhër-arrestet kishin të bënin me vepra të ekstradueshme, të dënueshme me burgim të përjetshëm sipas ligjit grek dhe gjithashtu të dënueshme sipas ligjit maltez.

Brakaj u mbajt në paraburgim në pritje të ekstradimit ose apelit të tij. Avokatët e tij paraqitën një apel, duke argumentuar se vendimi i gjykatës së parë ishte i pasigurt dhe i pakënaqshëm pasi ajo nuk mori parasysh shqetësimet serioze që ata kishin vënë në dukje mbi situatën në burgjet greke.

Kushtet brenda burgjeve greke ishin të tilla që të drejtat e tij themelore do të shkeleshin, thanë ata. Ata thanë se burgjet në Greqi kishin parë abuzime policore, mangësi serioze sanitare dhe qeli të mbipopulluara. Për këtë arsye, ata kërkuan të merrnin një garanci nga autoritetet greke se klienti i tyre nuk do t'i nënshtrohej një trajtimi të tillë nëse do të kalonte ekstradimi i tij.

Consuelo Scerri Herrera tha se procedurat në lidhje me një urdhër-arresti evropian ishin "gurthemeli i bashkëpunimit gjyqësor". Mekanizmi përfshinte një proces gjyqësor dhe jo politik, të mbështetur në besimin reciprok ndërmjet shteteve anëtare dhe njohjen reciproke të vendimeve gjyqësore.

Shtetet anëtare të BE-së kishin për detyrë të ekzekutonin urdhëra të tillë dhe mund të përballeshin me procedime për shkelje të detyrës nëse nuk do ta bënin këtë. Duke iu referuar një skenari të ngjashëm në procedurat kundër John Spiterit, gjykata tha se si gjykatë e juridiksionit penal, nuk ishte kompetente të vendoste për çështjet themelore të të drejtave të njeriut.

ledjon brakaj consuelo scerri herrera

Sondazh

Poll